Ndërlidhjet

Pas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, beteja diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është transferuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërsa presidenti dhe kryeministri i Kosovës u kanë drejtuar letra të gjitha vendeve anëtare të OKB-së për njohje të reja dhe refuzim të rezolutës së Serbisë, opozita në Prishtinë kritikon këtë qasje, duke kërkuar që në vend të letrave, të ketë aktivitet e lobim diplomatik.


Partitë opozitare kritikojnë presidentin dhe kryeministrin e Kosovës për politika pasive dhe vonesa të reagimeve pas opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Duke iu referuar letrave që presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, u kanë drejtuar krerëve të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare, qoftë për njohjen e Kosovës, anëtarësimin e saj në mekanizma ndërkombëtar apo edhe kërkesës për refuzimin e rezolutës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, opozita thotë se ajo është e vonuar dhe sugjeron se në vend të letrave, është dashur të ketë një diplomaci aktive që do të lobonte për njohjen e Kosovës.

Pakënaqësitë e opozitës ndërlidhen sidomos me faktin se pavarësisht mendimit pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, ende nuk është shënuar asnjë njohje e re.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se Qeveria nuk ka ditur të menaxhojë me fitoren e Kosovës në GJND dhe se kjo letër është një reagim i vonuar.

“Letrat e tilla është dashur të dërgohen që pas shpalljes së pavarësisë menjëherë dhe, po ashtu,të vazhdohet në krijimin e ekipeve, të cilat do të lobonin te të gjitha shtetet që janë të rezervuara, apo që nuk e kanë njohur deri më tash Kosovën”.

“Prandaj, konsiderojmë që Qeveria dhe institucionet e Kosovës po vonohen në ndërmarrjen e veprimeve, të cilat do të çonin drejt njohjeve të reja”
, thotë Isufi.


Kritika krerëve të shtetit të Kosovës dhe diplomacisë kosovare i drejton edhe nënkryetarja Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari –Lila. Ajo thotë se letrat nuk janë forma më e mirë e diplomacisë dhe, si të tilla, edhe ato nuk sjellin rezultate të pritura.
Kuvendi i Kosovës


“Letrat dhe dërgimi i tyre nuk janë forma më e mirë e demokracisë. Pala kosovare dërgon letra, përderisa pala serbe ka dërguar emisarë nëpër botë, të cilët bisedojnë drejtpërdrejt me përfaqësues të shteteve për të bllokuar Kosovën dhe për të shtyrë përpara iniciativën e tyre para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Kaluan tani më shumë se tri javë pas mendimit të GJND-së dhe asnjë njohje nuk i ka ardhur Kosovës ende”
, thekson Kusari.

Pakënaqësinë me reagimet e Prishtinës zyrtare pas mendimit pozitiv për Kosovën në GJND, e shpreh edhe anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova. Gjithë aktiviteti i deritashëm diplomatik pas GJND-së, sipas Rugovës, është një dështim.

“Emëruesi i përbashkët i Qeverisë, institucioneve, presidentit, i cili ka kompetenca të mëdha në politikën e jashtme, i kryeministrit dhe diplomacisë kosovare është baras me dështim, është mungesë e dijes, mungesë e vizionit, është mungesë e kreativitetet të politikëbërjes”,
shprehet Rugova.

Ndërkohë, analisti Arben Qirezi thotë se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka tashmë përgjigjen nga ana e GJND-së, të cilën e ka kërkuar vetë dhe nuk pret që kjo Asamble të nxjerrë ndonjë rezolutë tjetër që do të paraqitet aty nga Serbia.

Qirezi inkurajon institucionet që t’i intensifikojnë aktivitetet diplomatike në prag të Asamblesë së Përgjithshme në funksion të shtimit të njohjeve.

“Asambleja e Përgjithshme mbase edhe do të diskutojë rreth mendimit të shprehur nga GJND-ja dhe kjo mund të jetë një pikë kthese që Kosova do të duhej ta shfrytëzojë për të avancuar pozitën e vet ndërkombëtare, përkatësisht për të shtuar numrin e njohjeve. Pra, mendoj se është një shans i mirë për Kosovën që duhet shfrytëzuar”
, vlerëson Qirezi.

Ndryshe, në letrat që Sejdiu e Thaçi u kanë drejtuar vendeve anëtare të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare u rikujtohet mendimi i GJND-së, i cili konfirmoi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Andaj, ata u kërkojnë të gjitha vendeve anëtare të OKB-së ta njohin Kosovën dhe ta kundërshtojnë rezolutën e sponsorizuar nga Serbia, duke e cilësuar atë si një veprim të panevojshëm dhe si një kritikë të papranueshme ndaj GJND-së.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG