Ndërlidhjet

logo-print

Korrupsioni ende në nivel të lartë!


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Organizatat joqeveritare në Prishtinë shprehin shqetësimet e tyre se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet në nivel të lartë.

Zyrtarët e organizatës “FOL”, gjatë publikimit të raportit mujor për monitorimin e aktiviteteve institucionale në luftën kundër korrupsionit, theksuan se institucionet e Kosovës deri tash nuk kanë shënuar progres në këtë drejtim .

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Organizatës “FOL”, tha se pavarësisht thirrjeve që janë bërë për shkarkimin e të gjithë zyrtarëve të dyshuar për korrupsion, e që kanë dosje në prokurori, nuk ka ndonjë lëvizje pozitive.
Nëse duhet të përkthehet në numra rezultati në luftën kundër korrupsionit, atëherë na vjen keq të themi se nuk ka progres në këtë luftë.


“Nëse duhet të përkthehet në numra rezultati në luftën kundër korrupsionit, atëherë na vjen keq të themi se nuk ka progres në këtë luftë. Për shembull, muaji korrik është karakterizuar me vetëm tri arrestime, prej këtyre tri arrestimeve, dy kanë rezultuar me lirim pasdite ose pas një kohe të shkurtër”.

“Përderisa korrupsioni është shndërruar në temë kryesore të zhvillimeve në Kosovë, fatkeqësisht progresi nuk po karakterizohet me të njëjtën frymë siç po karakterizohet aspekti medial
”, tha Ilazi.

Ilazi shtoi se aktualisht përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë duke dhënë premtime dhe deklarata të mëdha për të luftuar korrupsionin. Por, sipas tij, vetëm atëherë kur do të ketë rezultate konkrete që do të ndërmarrin EULEX-i dhe institucionet e Kosovës në rastet e ish-ministrave dhe shumë zyrtarëve aktualë, atëherë mund të flitet për progres.

“I vetmi rast i lartë politik që kemi parë se është arrestuar, ka qenë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, pas shumë e shumë vërejtjeve e dëshmive”.

“Përderisa ne ende nuk kemi përgjigje nga EULEX-i apo nga Prokuroria Publike se çfarë është duke ndodhur me dosjet për 6 ish-ministra dhe ministra, me dosjet e 9 sekretarëve permanentë, me dosjet e 47 zyrtarëve të prokurimit, unë dyshoj ta quaj ende rezultat të kënaqshëm luftën kundër korrupsionit”,
theksoi Ilazi.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsionit, Hasan Preteni, tha se, së fundi, ka një aktivitet të shtuar, si nga ana e institucioneve të Kosovës, ashtu edhe e atyre ndërkombëtare, në drejtim të parandalimit të korrupsionit.

Hasan Preteni

“Ka një progres, ka një lëvizje pozitive, them të të gjitha institucioneve, të cilat kanë për mision luftën kundër korrupsionit, e gjithashtu edhe me agjencinë”.

“Gëzon fakti që prokuroria e EULEX-it, ka filluar disa aktivitete konkrete. Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me prokurorinë e EULEX-it, i koordinojmë aktivitetet dhe kemi takime të rregullta mujore”,
theksoi Preteni.




Ramadan Ilazi nga organizata “FOL”, konsideron se përgjegjësia kryesore për ta luftuar korrupsionin bie mbi institucionet kosovare, por përgjegjësi duhet kërkuar edhe nga EULEX-i.

“Mendojmë se barrën kryesore për luftimin e korrupsionit e kanë kosovarët, mirëpo mos të harrojmë që EULEX-i e ka një mandat edhe arsyeja pse EULEX-i është në Kosovë, është sepse beson se kemi institucione të dobëta të sundimit të ligjit, edhe ne, në të njëjtin kriter duhet të kërkojmë llogari nga EULEX-i”,
u shpreh Ilazi.

Megjithatë, Preteni nga AKK-ja deklaroi se në ditët në vijim do të ketë aktivitete të shtuara në luftën kundër korrupsionit.

“Në ditët dhe muajt në vijim do të ketë aktivitete të shtuara edhe rreth luftimit të korrupsionit. Luftimi i korrupsionit është edhe një aktivitet që ndikon pastaj në parandalim”,
deklaroi Preteni.

Sido që të jetë, drejtuesit e Lëvizjes “FOL”, thanë se për nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, i kanë alarmuar edhe deputetët e Parlamentit Evropian.

Ndërsa, në Rezolutën e miratuar për Kosovën, është kërkuar që viti 2010 të jetë viti i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG