Ndërlidhjet

logo-print

Ndryshimi i çmimit të bukës për koston prej 10 centësh, ka ngjallur shqetësim të madh te fermerët kosovarë. Në një konference për media, përfaqësuesit e Federatës Sindikale të Bujqve, fajësuan Qeverinë e Kosovës për ngritjen e çmimit të bukës nga 25 centë, sa ishte, në 35 centë sa është aktualisht.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, tha se ngritja e çmimeve i ka goditur shumë shtresat e varfra të popullatës në vend.

“Burimi i krizës thuhet se vjen nga Rusia, Kina dhe India, të cilat i kanë goditur katastrofat natyrore”.


“Mirëpo, ne mendojmë se burim i krizës për kosovarët jemi vetë ne, për shkak se ne nuk po prodhojmë bukë për popullatën e Kosovës. Fajtore për këtë është Qeveria e Kosovës, e cila fare nuk i kushton rëndësi bujqësisë kosovare, nuk ka subvencione
”, tha Tahiri.

Kritikat e bëra në adresë të Ministrisë së Bujqësisë, janë hedhur poshtë nga Avdullah Isufi, këshilltar në këtë Ministri. Ai tha se vazhdimisht ka pasur subvencione për fermerët kosovarë.

Sektori i grurit është mbështetur me gjithsej 2.6 milionë euro, ndërkaq sipërfaqja e gjithëmbarshme e subvencionuar gjatë fushatës së korrje-shirjeve ka qenë rreth 70 mijë hektarë.

“Ministria e Bujqësisë ka bërë mjaft gjatë dy viteve të kaluara, sa i përket uljes së kostos së prodhimit të grurit. Mund të them që fermerët e kanë pasur një vit të rëndë për shkak të rendimenteve jo të kënaqshme, por kanë pasur një kosto të ulët”
, tha Isufi.

Ngritja e çmimeve të produkteve të konsumit zakonisht në Kosovë vjen si pasojë e ngritjes së çmimeve në Evropë, që përcillet më pas në Kosovë, meqë shumica e konsumit është i bazuar në import.

Por, sa i përket çmimit të bukës, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, kjo nuk është dashur të ndodhë, pasi që Kosova plotëson rreth 60 për qind të nevojave të qytetarëve me grurë.
Pamje në Prishtinë


Këshilltari në Ministrisë së Bujqësisë, Avdullah Isufi, shprehu mendimin se ngritja e çmimit të bukës dhe miellit në Kosovë, është shkaktuar më shumë nga konkurrenca e brishtë.

“Nga paniku, bizneset, furrtarët, shitësit e drithërave edhe mullisët kanë bërë gara në ngritjen e çmimeve dhe mendoj që ky është refleksion i tepruar”.

“Unë mendoj që gjatë ditëve në vazhdim oferta dhe kërkesa, dhe sidomos konkurrenca në mes tyre, do ta bëjë të veten dhe do të kemi një stabilizim të grurit dhe produkteve të tij, duke përfshirë këtu edhe bukën”
, u shpreh Isufi.

Sa i përket diktimit të çmimeve të tregut, Isufi tha se Qeveria e Kosovës aktualisht nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, për shkak se mungon Ligji mbi rezervat.

Sidoqoftë, ata që e kanë ndier më së shumti këtë ngritje të çmimeve, mbesin qytetarët, të cilët shpresojnë se do të mund të ketë përmirësim të kësaj gjendjeje.

Adnan Arifi u shpreh:

“Duke pasur parasysh gjendjen e vështirë ekonomike dhe sociale pagat e ulëta, produktet tjera të shtrenjta, ngritja e çmimit të bukës është shenjë jo e mirë, sepse e ngarkon xhepin e qytetarëve”.


Ndryshe, çmimi i grurit, në fillim të muajit qershor ka qenë 150-160 euro për ton, ndërsa tash është 200 euro për tonë. Çmimi i miellit në fillim të qershorit ka qenë 21-22 centë për kilogram, tash sillet 29-30 centë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG