Ndërlidhjet

Probleme pafund për Pakistanin


Pakistan
Pakistan

Nëntëqind milionë dollarët e kërkuar nga Pakistani për tejkalimin e vërshimeve më të mëdha që ka përjetuar ndonjëherë ky vend, janë siguruar nga Banka Botërore.

Vërshimet që nisën para tri javësh deri më tash kanë marrë jetën e mbi 1500 personave. Rreth 900 mijë shtëpi janë shkatërruar dhe rreth 20 milionë pakistanezë janë prekur nga dëmet e shkaktuara.

Ndërkaq, vlerësimi fillestar për çmimin e mundshëm për rindërtimin e Pakistanit mund të arrijë shumën 15 miliardë dollarë.

Gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore...

Mirëpo, llogaritë për rindërtim nuk janë fare primare, pasi tani në të shumtën e rasteve mungon edhe ndihma emergjente për personat e prekur.

Mohamad Laiq, një nga personat e goditur prej vërshimeve kërkon përgjegjësi nga Qeveria pakistaneze.

“Që prej vërshimeve duket se këtu nuk ka fare Qeveri. Ne kemi humbur fëmijët tanë, bagëtitë dhe mezi kemi arritur të shpëtojmë veten. Ne erdhëm këtu për ndihma, por nuk morëm asgjë. Ne duhet t’ia themi këtë Qeverisë se është përgjegjësi e saj që të bëjë çdo gjë që është e mundshme”
, thotë pakistanezi Laik.

Fat të njëjtë thotë se kishte edhe banori tjetër, Kashif Ali.

“Ne arritëm të mbledhim vetëm disa gjëra dhe u larguam. Asnjë anije nuk erdhi për të na shpëtuar, askush... Mezi kemi arritur që të shpëtojmë jetën, çdo gjë tjetër u mor nga uji. Çdo gjë kemi humbur”,
tregon Kashif Ali.

Nevoja për ndihma në Pakistan është më e madhe sesa pas tërmetit të tmerrshëm në Haiti. Këtë vlerësim e ka dhënë zëdhënësi i OKB-së, pasi kjo organizatë dështoi që të mbledhë 460 milionë dollarët e kërkuar nga donatorët.

Më 15 gusht, Ban Ki -mun vizitoi të prekurit nga përmbytjet në Pakistan

Një tjetër rrezik i paralajmëruar është edhe përhapja e sëmundjeve nga uji i ndotur. Sipas OKB-së, tashmë është konfirmuar rasti i parë i kolerës, ndërkaq rreziku ekziston edhe për 3.5 milionë fëmijë të tjerë.

Mungesa e ndihmave shkakton edhe rrezik për stabilitetin e vendit pasi disa organizata që kanë lidhje me grupet militante tashmë kanë nisur shpërndarjen e ndihmave.

Për jo pak njerëz kjo shihet si një lëvizje me qëllim që të përfitohet përkrahja e popullatës për organizatat e tilla.

Megjithatë, një rrezik i tillë për ambasadoren amerikane në Pakistan, Anne Patterson, është i ekzagjeruar. Pakistanezët mbështeten më së shumti në ushtrinë e vendit për ndihma. (a.h.)
XS
SM
MD
LG