Ndërlidhjet

Francë: Ekstradimi i romëve


Gjatë ekstradimit

Gjatë ekstradimit

Franca ka nisur të enjten ekstradimin e qindra romëve për në Rumani dhe Bullgari, me gjithë kriticizmin e fuqishëm mbi këtë veprim.


Prej së enjtes, Franca fillon kthimin e detyrueshëm të qindra romëve, në kuadër të një fushate dëbimi të atyre që jetojnë ilegalisht në këtë vend.

Rreth 79 romë, të cilët janë pajtuar të kthehen vullnetarisht, në këmbim për 300 euro për të rriturit dhe nga 100 euro për të miturit, pritet të arrijnë sot të në Bukuresht të Rumanisë.

Ministri i Brendshëm francez, Bric Hortefeux, ka paralajmëruar se rreth 700 pjesëtarë të komunitetit rom do të detyrohen të kthehen në Rumani dhe Bullgari deri në fund të muajit.

Ministri gjithashtu ka bërë të ditur se policia deri më tash ka zhbërë 51 kape të paligjshme të romëve dhe minoriteteve tjera në tri javët e fundit.

"Në vendin tonë, nuk mund ta zaptosh një rajon, një hapësirë, një apartament apo ndërtesë në formë të paligjshme. Operacionet tona do të vazhdojnë çdo ditë”, ka thënë ministri francez.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozy, ka urdhëruar zhbërjen e 300 kampeve të paligjshme, në kuadër të një fushate të zgjeruar për të luftuar krimin. Sarkozyn ka thënë se këto kampe janë burime të trafikimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve.

Por, kritikët kanë akuzuar Sarkozyn se po e shfrytëzon luftën kundër krimit për të zhvendosur vëmendjen nga popullariteti në rënie, për shkak të papunësisë së lartë dhe skandaleve që kanë prekur anëtarët e qeverisë së tij.

Najat Vallaud-Belkacem nga Partia Socialiste e ka quajtur aksionin “maskaradë”.

"Zoti Sarkozy dhe qeveria e tij po përpiqen të hedhin mjegull mbi këto çështje. Dhe kjo mjegull, si zakonisht, është emigracioni, pasiguria, delikuenca – tri fjalët magjike të qeverisë së tij”, është shprehur zonja Vallaud.

Ajo i ka cilësuar planet e Qeverisë si stigmatizim, duke veçuar vetëm një segment të popullatës për pasigurinë në rritje në Francë.

Malik Salemkour, nga Liga për të Drejtat e Njeriut, pajtohet.

"Është një politikë etnike, stigmatizuese, e turpshme dhe joefektive. Me të vihen në shënjestër veçanërisht romët, kryesisht nga Rumania dhe Bullgaria, numri i të cilëve arrin në 15,000 në gjithë territorin francez. Është absurde, sepse po dëbojmë qytetarë evropianë, të cilët mund të kthehen në Francë pas disa ditësh – gjë kjo që edhe ndodhë”
, ka thënë zoti Salemkour.

Rodica Novakovich është një prej personave që do të dëbohen.

"Nëse policia na detyron të kthehemi, do të qëndroj në një vend tjetër dy-tre ditë, mbase një javë. Dhe, në çastin që do të kem para, do të kthehem në Francë për shkak të fëmijëve. Këtu mund t’i ushqej fëmijët, është më ndryshe nga Rumania”
, është shprehur zonja Novakovich.

Rumania dhe Bullgaria janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian më 2007 dhe qytetarët e këtyre dy vendeve mund të hyjnë në Francë pa asnjë formalitet dhe të qëndrojnë për tre muaj me radhë pa pasur nevojë t’i arsyetojnë aktivitetet e tyre.

Ndërkohë, edhe Komisioni Evropian ka dhënë garanci se do të monitorojë situatën në Francë, për të siguruar se rregullat e Bashkimit Evropian mbi lirinë e lëvizjes dhe lirinë e vendosjes janë duke u respektuar. (a.v.)


XS
SM
MD
LG