Ndërlidhjet

Ngecjet në integrimin drejt BE-së


Njohësit e integrimeve evropiane, thonë se institucionet e Kosovës po vonojnë në përmbushjen e kritereve për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Ata vlerësojnë se integrimi në BE, kërkon plotësimin e shumë kritereve, si të atyre politike, ashtu edhe ekonomike. Kurse, zyrtarët e Ministrisë për Integrim, thonë se janë duke punuar në ketë drejtim, por pranojnë se para vetes kanë shumë sfida.


Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian kërkon plotësimin e shumë kritereve politike dhe ekonomike, thonë njohësit e integrimeve evropiane. Sipas tyre, Kosova aktualisht ende gjendet larg integrimit në BE.

Eksperti Fatmir Curri përmend disa nga kriteret, të cilat duhet të plotësohen dhe thotë se institucionet kosovare duhet të bëjnë shumë punë për plotësimin e atyre kritereve për të qenë pjesë e BE-së.

“Kriteret themelore, të cilat urgjentisht duhet të adresohen në rastin e Kosovës, janë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit edhe progresi në harmonizimin dhe përgatitjen legjislacionit ekonomik për t’i përmbushur kriteret”
, thotë Curri.

Sipas Currit, aktualisht nga ana e institucioneve është një ngecje në drejtim të punës për plotësimin e kushteve për t’u integruar në BE.
...ngecjet kryesore dhe sfida kryesore shfaqet me mungesën e financave ose të kapacitetit administrativ institucional për t’i përmbushur këto kritere.


“Mendoj se ka një ngecje në proces, sepse ne shpeshherë jemi në rregull me disa pjesë të legjislacionit, por ngecjet kryesore dhe sfida kryesore shfaqet me mungesën e financave ose të kapacitetit administrativ institucional për t’i përmbushur këto kritere”
, thekson Curri.


Edhe eksperti tjetër Shenoll Muharremi, konsideron se Kosova deri të anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka shumë punë për të kryer.

Ai thekson se pos shumë kritereve që duhet t’i përmbushë Kosova, mosnjohja e pavarësisë nga 5 shtetet anëtare të BE-së mund të pengojë synimin e Kosovës për të qenë pjesë e BE-së.

“Një ndër problemet ndoshta më të mëdha politike është edhe fakti që Kosova nuk është njohur nga 5 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Në faza më të vonshme kur Kosova duhet të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në, mosnjohja nga këto 5 vende mund ta prolongojë procesin dhe të shkaktojë probleme”,
vlerëson Muharremi.

Ndërkaq, zëvendësministri për Integrime në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi, thotë se institucionet e Kosovës, janë duke punuar si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, për kryerjen e të gjitha obligimeve për t’u integruar në BE.

Abrashi megjithatë, përmend disa nga sfidat, me të cilat po përballen.
Sfidat kryesore në raport me Brukselin, janë se nuk kemi marrëdhënie kontraktuale me Brukselin, e kjo ndodh shkaku se 5 shtete nuk na kanë njohur.


“Sfidat kryesore në raport me Brukselin, janë se nuk kemi marrëdhënie kontraktuale me Brukselin, e kjo ndodh shkaku se 5 shtete nuk na kanë njohur. Në raport me punët e brendshme që institucionet e Kosovës duhet t’i bëjnë, janë një numër i madh i sfidave, por mendojmë që ministria jonë do të arrijë t’i tejkalojë një pjesë të tyre”, shprehet Abrashi.

Një nga kriteret kryesore për t’u integruar në BE, sipas ekspertit Fatmir Curri, është edhe bashkëpunimi rajonal.

“Ajo çka mbetet sfidë e madhe është përmbushja e kritereve të bashkëpunimit rajonal. Kohëve të fundit ka një ngecje, ose të mos them regres. Komisioni Evropian edhe vetë BE-ja, progresin e rajonit po e vlerësojnë në bazë të nivelit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në rajon”
, konsideron Curri.

Autoritetet qeveritare kanë thënë se procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është ndër prioritetet strategjike të Qeverisë së Kosovës.

Zyrtarët e Ministrisë për Integrime kanë deklaruar se kanë identifikuar dhjetë prioritete strategjike për vitin 2010, të cilat duhet plotësuar.

Ndër prioritetet që ka identifikuar kjo ministri, janë fuqizimi i institucioneve në fushën e integrimeve, reformën e administratës, reformën gjyqësore, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e prokurimit publik, liberalizimin e vizave, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, bashkëpunimin rajonal dhe luftimin e ekonomisë joformale.

Eksperti Muharremi thotë se nuk është e vështirë të identifikohen prioritetet, por, sipas tij, ato duhet të plotësohen.
Shihet që Kosova nuk ka kapacitete që ta shfrytëzojë këtë momentum dhe t’i zbatojë këto kritere.


“Shihet që Kosova nuk ka kapacitete që ta shfrytëzojë këtë momentum dhe t’i zbatojë këto kritere. Thjesht, nuk është çështja të dimë prioritete, prioritetet e dimë cilat janë, por mungon vullneti politik dhe kapacitetet administrative që Kosova të merret më seriozisht me ketë agjendë”,
thekson Muharremi.

Sido që të jetë, plotësimi i kritereve për integrim në BE, sipas zyrtarëve evropianë, nuk duhet nënkuptuar vetëm si synim për t’iu bashkuar Evropës, por edhe si qëllim i zhvillimit të brendshëm të një shteti.
XS
SM
MD
LG