Ndërlidhjet

Meta: Sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm


Ilir Meta, ministër i jashtëm i Shqipërisë
Ilir Meta, ministër i jashtëm i Shqipërisë
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, deklaroi të enjten se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm. Meta iu referua për këtë deklaratave që vijnë nga qarqe të Beogradit, të cilat rrahin idenë për ndarje të pjesës veriore të Kosovës.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i pacënueshëm, ashtu sikurse i çdo vendi tjetër në rajonin tonë. Ndaj çdo provokim i cili tenton të vë në diskutim pikërisht një çështje të tillë është i panevojshëm”.

“Opinioni i dhënë nga GJND-ja për pavarësinë e Kosovës, veçse përforcoi dhe më tej legjitimitetin e vendimit të marrë nga Parlamenti dhe populli i Kosovës dhe njëkohësisht faktin që gjithçka u krye në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke respektuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit”.

“Kjo tregon më së miri se është koha që të gjithë ti izolojmë ata elementë ekstremistë të cilët kërkojnë të vënë në diskutim kufijtë në rajonin e Ballkanit”,
ka thënë zoti Meta.

Meta u pergjigj edhe në interesit te medias mbi aludimet e zyrtarëve të Beogradit se nisma për të paraqitur një rezolutë në OKB u inicua pikërisht nga, siç thuhet, përpjekjet e Tiranës zyrtare për ta bërë një gjë të tillë në favor të Kosovës.

“Çdo pretendim nga ana e Serbisë, sipas pyetjes suaj, se ajo ka qenë e motivuar për paraqitjen e një projekt-rezolute të njëanshme për shkak se Shqipëria do të paraqiste një rezolutë për Kosovën, absolutisht që nuk qëndron”.

“Kjo qoftë edhe për një arsye shumë të thjeshtë, sepse Ambasadori i Serbisë në Tiranë është thirrur me porosinë time këtu në MPJ, dhe i është bërë e qartë se Shqipëria nuk tenton të paraqesë asnjë rezolutë në mënyrë të njëanshme dhe se nuk do dëshironte njëkohësisht që edhe Serbia apo kushdo tjetër të paraqiste një rezolutë të njëanshme në OKB”,
ka thënë zoti Meta.

Kryediplomati shqiptar ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë të punojmë për t'i hequr kufijtë në Ballkan, sepse kjo është e ardhmja e rajonit, një Ballkan në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG