Ndërlidhjet

Autoritetet në Prishtinë nuk i kanë dhënë leje ministrit të Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviq, që të vizitojë Kosovën. Me një vendim të kryeministrit Hashim Thaçi janë suspenduar të gjitha vizitat zyrtare të përfaqësuesve të Serbisë, deri në marrjen e një vendimi tjetër. Vendimi nuk ka të bëjë edhe me vizitat private të zyrtarëve nga Serbia.


Autoritetet në Prishtinë mbajnë në fuqi vendimin për suspendimin e të gjitha vizitave zyrtare të përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë në Kosovë.

Ky vendim i marrë në fillim të javës nga kryeministri Hashim Thaçi, vjen si rrjedhojë e, siç thuhet, deklaratave provokuese politike të zyrtarëve serbë, të cilët një prej kushteve për lejimin e vizitave në Kosovë, e kanë përmbajtjen nga deklaratat që nxisin reagime e tensione politike.

Për të enjten, ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, kishte paralajmëruar një vizitë në Kosovë, përkatësisht në fshatin Prilluzhë të Vushtrrisë, ku ai mëtonte të merrte pjesë në hapjen e një kopshti fëmijësh.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se Bogdanoviqit dhe zyrtarëve tjerë serbë u është suspenduar hyrja në Kosovë, deri në marrjen e një vendimi tjetër.

”Ne i kemi përcaktuar gjithmonë kushtet e hyrjeve dhe kohës së qëndrimit, si edhe natyrën dhe karakterin e vizitave. Në shumë raste ka ndodhur që nuk janë respektuar kushtet e hyrjes dhe ka ndodhur që ndonjë zyrtar të bëjë deklarime politike”.

“Duke u bazuar në këto përvoja dhe shkeljen e rregullave, është vendosur që vizita e paralajmëruar, e kërkuar për sot e ministrit serb, Bogdanoviq, të refuzohet”,
thekson Krasniqi.

Ndërkohë, zëdhënësja e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Julia Rojter, thotë se ekzistojnë rregullat dhe procedurat lidhur me vizitat e zyrtarëve serbë të vendosura ndërmjet zyrës së BE-së në Beograd, përfaqësuesit special të BE-së në Kosovë si dhe autoriteteve të Kosovës.

“Lejen e japin vetëm autoritetet e Kosovës. Kështu që zyrat e BE-së luajnë këtu vetëm rolin e lehtësuesit në këto komunikime. Ajo që mund të them është se BE-ja inkurajon të gjitha palët që t’i respektojnë parimet e veta dhe që të shfrytëzojnë çdo rast për vendosjen e raporteve të mira ndërfqinjësore”
, thotë zëdhënësja Rojter.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se nuk mund të parashihet tash për tash koha apo afati kohor se sa do të jetë në fuqi kjo masë e suspendimit të vizitave të zyrtarëve serbë.
Qeveria e Kosovës


“Suspendohen të gjitha vizitat e ardhshme që mund të kërkohen deri në një vendim tjetër. Ky vendim është në fuqi dhe do të jetë në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër i cili mund të ndodhë apo edhe të mos ndodhë”
, deklaron Krasniqi.

Vendimi i kryeministrit Thaçi ka të bëjë vetëm me vizitat zyrtare dhe jo ato private. Sot, Policia e Kosovës për një kohë të caktuar nuk e ka lejuar të hyjë në territorin e Republikës zyrtarin e Ministrisë Serbe për Kosovë, Dragan Petkoviq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se policia, pasi kishte marrë urdhër për mos të lejuar hyrjen e këtij zyrtari në Kosovë, me një vendim tjetër atij i është lejuar hyrja për çështje private.

“Policia e Kosovës për një çast ka ndaluar zotin Petkoviq, pasi i njëjti ka figuruar në listën e personave, të cilëve u është ndaluar hyrja në Kosovë për çështje të vizitave zyrtare”.

“Mirëpo, pas marrjes së vendimit që ai të dëbohet nga territori i Kosovës, ai është rikthyer me një vendim tjetër, pasi po qarkullonte me automjet privat dhe vizita e tij në Kosovë ishte për çështje private dhe nuk kishte të bënte me çështje zyrtare”
, shpjegoi Hoti, duke shtuar se Petkoviq është ndaluar në rajonin e Mitrovicës.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë i ka njoftuar me vendimin e tij edhe autoritetet ndërkombëtare në Prishtinë.

Lidhur me këtë vendim, ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, thotë se është koha që misioni i BE-së në Kosovë, EULEX-i, “të reagojë”, duke pritur nga ky mision që të marrë një qëndrim tjetër që do të anashkalonte vendimin e kryeministrit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG