Ndërlidhjet

Vazhdon riatdhesimi


Fushë - Kosovë
Fushë - Kosovë

Zyrtarë institucionalë të Kosovës shfaqin shqetësim lidhur me pamundësinë e strehimit të të gjithë personave që janë riatdhesuar dhe që pritet të riatdhesohen nga vendet e Evropës Perëndimore.

Shqetësimet e tyre i shprehin dhe përfaqësuesit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, për kthimin e detyrueshëm të të cilëve kanë reaguar edhe disa zyrtarë ndërkombëtarë.

Bekim Syla, drejtor i Organizatës joqeveritare lokale për komunitetin rom, ashkali e egjiptas, thotë se vetëm gjatë muajit korrik janë kthyer më shumë se 50 persona të këtyre tri komuniteteve, derisa, siç thotë ai, në mungesë të vendit të përhershëm për banim, nuk dihet se ku janë këta njerëz.

“Një aeroplan është kthyer në muajin korrik. Nuk dihet ku janë ata njerëz, nuk kanë pasur pronë dhe nuk e dimë ku janë vendosur”
, thotë Syla.

Sipas zyrtarëve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjatë vitit 2010 janë kthyer 2,861 persona nga vendet e Bashkimit Evropian, prej tyre 359 persona janë kthyer me forcë. Pas kthimit, 66 persona kanë pasur nevojë për akomodim.

Muhamet Gjocaj, zyrtar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se strategjia për riatdhesimin personave është implementuar ashtu siç ka mundur dhe përgjegjëse kanë qenë një mori institucionesh.

“Ministria e Punës merret me pritjen e të riatdhesuarve, u siguron akomodim për shtatë ditë dhe bën transportimin me mjete të Ministrisë, meqë ata nuk kanë mjete për transport. Vetëm gjatë vitit 2009, janë transportuar 117 persona për 7 ditë, pas kësaj kohe ata dërgohen në komunat ku dëshirojnë të shkojnë”,
shpjegon Gjocaj.

Gjocaj shpjegon se gjatë vitit 2009 janë kthyer 4,160 persona, derisa vullnetarisht janë kthyer 1,334.

Por, sipas Sylës, zyrtarët qeveritarë nuk po bëjnë aq sa duhet për këto komunitete. Ai pohon se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i akomodon për shtatë ditë, por pas kësaj kohe ata mbesin në rrugë.

Kampi i romëve në Mitrovicë

“Një program i Qeverisë u ndihmon për akomodim, por pas shtatë ditësh duhet të bëjnë zgjidhje vetë. Një organizatë gjermane iu ndihmon me ushqim, mobile dhe ua paguan qiranë për 6 muaj, por kjo nuk është zgjidhje, sepse me këtë çështje nuk duhet të merren organizatat, mirëpo Qeveria e Kosovës. Ato familje mbesin në rrugë
”, thekson Syla.

Mirëpo, Gjocaj tregon se këto tri komunitete janë të përfshira në skemat sociale të kësaj Ministrie, dhe 90 për qind e tyre marrin ndihma.

Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar ndaj riatdhesimit të këtyre tri komuniteteve nga vendet evropiane, për shkak se kthimi i tyre në Kosovë është një ambient pa perspektivë.

Bexhet Shala, nga KMDLNJ, thotë se këta njerëz duhet të mbeten në ato shtete evropiane për shkaqe humanitare.

“Kur flasim për kthimin e dhunshëm për këto tri komunitete nga shtetet evropiane, ata kthehen në një ambient ku nuk kanë asnjë perspektivë - nuk mund të integrohen dhe nuk kanë kushte për shkollim dhe për zhvillim”.

“Asnjë përfaqësues i këtyre komuniteteve nuk është i rrezikuar në aspektin e sigurisë së lirisë së lëvizjes, por ata duhet të mbeten në ato shtete për shkaqe humanitare. Ne kemi reaguar dhe kemi kërkuar se ata mund të kthehen, por Kosova nuk ka mundësi për ta pranuar një numër aq të madh të njerëzve të riatdhesuar, apo që iu është refuzuar azili ose lejeqëndrimi’
, sqaron Shala.

Ndërkaq, zyrtarë qeveritarë rikujtojnë se në procesin e liberalizimit të vizave, kriter kryesor është riatdhesimi dhe kjo nënkupton se duhet të nënshkruhen marrëveshjet e riatdhesimit me gati të gjitha shtetet e BE-së, të cilat na kanë njohur.
XS
SM
MD
LG