Ndërlidhjet

Vazhdojnë polemikat...


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Prishtinë vazhdojnë debatet në lidhje me informacionet e lansuara nga partia opozitare AAK, për, siç thuhet, bisedimet e fshehta të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës me ata të Serbisë. Këto debate, analistët i vlerësojnë edhe si një përpjekje të opozitës për t’u dëshmuar si alternativë për qeverisjen e ardhshme në Kosovë.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës insiston se ka pasur dhe janë zhvilluar bisedime të fshehta ndërmjet zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë.

AAK thotë se informacionet për bisedimet e fshehta nuk janë shpifje, siç i ka cilësuar ato kryeministri Hashim Thaçi. Madje, AAK kërkon pikërisht nga kryeministri Thaçi dhe zyrtarët e Qeverisë që ai drejton që të sqarojnë pse janë mbajtur, siç thuhet këto bisedime të fshehta.

Megjithatë, ngjashëm me konferencat e mëparshme, edhe sot AAK-ja nuk ka dhënë detaje tjera. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, sërish nuk përmend emra të atyre zyrtarëve që thuhet se janë takuar me përfaqësuesit e Serbisë.
Besnik Tahiri


“Ne si subjekt politik kemi qenë shumë të përgjegjshëm, do të thotë e kemi njoftuar opinionin publik rreth bisedimeve sekrete dhe ne mendojmë se kjo është esenca”.


“Koha do të tregojë se ne kemi pasur të drejtë, ashtu siç kemi pasur të drejtë kur kemi thënë se 6-pikëshi ekziston, ashtu siç kemi thënë që strategjia për veriun është vetëm në letër, ashtu siç kemi thënë se kjo Qeveri e tëra është e mbuluar në korrupsion, siç e thonë edhe raportet ndërkombëtare
”, thotë Tahiri.


Deklaratave të AAK-së për bisedime të fshehta tashmë u është përgjigjur edhe kryeministri Hashim Thaçi, duke i cilësuar ato si shpifje dhe duke e ftuar këtë subjekt politik t’i kërkojë falje opinionit.
Do të ishte me interes që pas atyre trillimeve të ulëta, t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës.


“Do të ishte me interes që pas atyre trillimeve të ulëta, t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës”
, kishte deklaruar Hashim Thaçi.

Krejt ndryshe nga kryeministri, shprehet zyrtari i AAK-së, Besnik Tahiri. Ai thotë se tema e bisedimeve të fshehta nuk ishte një shpifje.

“Për ata që kanë veshë, e duan të dëgjojnë se çfarë kemi thënë, AAK-ja ka folur dhe koha do ta tregojë të vërtetën se kush duhet t’i kërkojë falje opinionit publik, ne apo kjo Qeveri”
, shprehet i vendosur Besnik Tahiri.

Zhvillimet e dy javëve të fundit ndërmjet AAK-së dhe Qeverisë, nga analistët politikë shihet si ashpërsim i fjalorit politik.

Analisti Ramush Tahiri thotë se AAK-ja me një politikë të tillë dëshiron të imponohet si një alternativë serioze politike.

Ramush Tahiri

“Aleanca këtu dëshiron që të fitojë pozicion të fortë në periudhën kur e ka liderin e saj Ramush Haradinaj në Hagë dhe dëshiron që të bëjë presion tek institucionet që lideri i saj të kthehet”.


“Mbi këtë bazë, ajo përdor informacione të ndryshme të vërteta ose jo, me të cilat kërkon përkrahjen e opinionit dhe dëshiron që Qeverinë ta paraqesë në një formë pak më ndryshe”, vlerëson analisti Ramush Tahiri.

Analisti Tahiri thotë se bisedimet e ardhshme Prishtinë – Beograd duhet të përgatiten në mënyrë dhe formë institucionale dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar.

Sipas Tahirit, se të dyja shtetet duhet të jenë në gjendje që në fund të arrijnë një marrëveshje që do të çonte kah relaksimi i raporteve ndërfqinjësore.

“Ajo që është me rëndësi dhe që ka të bëjë me Kosovën dhe Serbinë është që mosmarrëveshjet duhet të përmbyllen me marrëveshje dhe kjo marrëveshje duhet t’u paraprijë bisedimeve institucionale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duhet të përmbyllet ky kapitull, sidomos tash pas mendimit të GJND-së
”, thekson Ramush Tahiri.

Vendosja e bisedimeve teknike Prishtinë – Beograd dhe relaksimi i raporteve ndërshtetërore nga diplomatët perëndimor, janë cilësuar në vazhdimësi si një nevojë dhe domosdoshmëri për të dyja shtetet dhe kusht për proceset e ardhshme integruese në strukturat euroatlantike.
XS
SM
MD
LG