Ndërlidhjet

logo-print

Pas suksesit të arritur me formimin e komunave të reja Graçanicës, Ranillugut, Kllokotit, Parteshit si dhe zgjerimit të komunës së Novobërdës, përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal thonë se hapat e ardhshëm në procesin e decentralizimit do të jenë në krijimin e komunës veriore në Mitrovicë.

Ministri i Pushteti Lokal, Sadri Ferati, thotë se me fuqizimin e mekanizmave vendorë dhe punën e faktorit ndërkombëtar në vend të do të krijohen mundësitë për formimin e komunës në veri.

Sadri Ferati

“Tani ka mbetur themelimi i komunës në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Është një numër shumë i madh i qytetarëve, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe që dëshirojnë që të ketë ndryshime, ngase janë lodhur nga ajo mënyrë e jetës. Pra, ai ambient jo i sigurt është pengesa kryesore”.

“Presim që me një fuqizim të veprimit të EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës atje, do të krijohet një ambient më i sigurt, ndërsa ne do të vazhdojmë fillimisht me normalizimin e jetës në atë pjesë të qytetet dhe pastaj edhe shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve, si dhe instalimin e strukturave komunale”
, thotë ministri Ferati.


Formimi i komunës së re të Mitrovicës është shtyrë për, siç është thënë, nevojës për krijimin e kushteve që do të mundësonin mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve lokale në atë pjesë të vendit.

Mirëpo, Ministri Ferati thotë se në muajt në vijim do të ketë përparim më të madh në drejtim të implementimit të Planit të Ahtisarit për decentralizimin.

“Muaji shtator dhe ai tetor do të jenë shumë më dinamikë dhe besoj se pastaj mund të bëjmë një analizë dhe të marrim vendime se kur duhet të shpallen zgjedhjet. Nuk jemi në situatë që tani ta kemi vendimin, por këtu nuk flasim për vjet, por për tre muaj më herët apo tre muaj më vonë”
, tha Ferati.

Nga ana tjetër, një nga udhëheqësit serbë në veri, Marko Jakshiq, thotë se Beogradi ishte pjesë e përgatitjes së serbëve për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, për formimin e komunës së Graçanicë dhe Parteshit.

Jakshiq thekson se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në veri, pasi që, sipas tij, serbët në veri të Mitrovicës e kanë lirinë e duhur të lëvizjes.
Sa i përket Mitrovicës, qytetarët këtu e kanë lirinë, si të arriturën më të madhe njerëzore...


“Sa i përket Mitrovicës, qytetarët këtu e kanë lirinë, si të arriturën më të madhe njerëzore. Me daljen e serbëve në zgjedhjet lokale të një shteti të shpallur njëanshëm dhe të cilin Serbia nuk e ka njohur, do të nënkuptonte që serbët ta humbin këtë liri”,
thotë Jakshiq.

Tutje Jakshiq shton se serbët në veri të Kosovës janë të vetëdijshëm dhe se ata për 11 vjet po e ruajnë lirinë e tyre dhe mendoj, thotë Jakshiq, se askush, për asnjë çmim nuk do ta sakrifikojë këtë liri 11-vjeçare për një ditë duke e hedhur atë në lumin Ibër.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partisë politike Lëvizja Vetëvendosje, thonë se procesi i decentralizimit, i cili po ndodh në Kosovë, nuk ka të bëjë fare decentralizimin.

Hysen Durmishi, anëtar i udhëheqjes qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje, mendon se institucionet e Kosovës nuk do të jenë në gjendje ta zhvillojnë procesin e decentralizimit në veri, pasi që, siç shprehet ai, në atë pjesë të Kosovës janë të instaluara strukturat paralele serbe.

Në veri të Kosovës nuk ka decentralizim, sepse veriun e Kosovës e kontrollojnë të gjitha institucionet e Serbisë, ndërsa institucionet e Kosovës nuk kanë qasje në atë pjesë të territorit”.

“Prandaj, Serbia ndryshe vepron atje, e ndryshe vepron në territore të tjera ku banojnë serbët në Kosovë, ku ata i lejon të marrin pjesë edhe në zgjedhje, sepse përmes zgjedhjeve ata krijojnë komuna me shumicë serbe
”, thekson Durmishi.
...përmes këtyre formave të decentralizimit nuk mund të integrohen serbët në institucione e Kosovës dhe në shoqëri, por po shkohet drejt negociatave për ndarjen territoriale të Kosovës...

Durmishi më tej shton se integrimi i komuniteti serb nuk mund të bëhet me decentralizimin dhe formimin e komunave. Sipas tij, me këtë plan po shkohet drejt ndarjes territoriale të Kosovës.

“Ky projekt është i dëmshëm. Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë ka qenë kundër dhe është kundër, sepse përmes këtyre formave të decentralizimit nuk mund të integrohen serbët në institucione e Kosovës dhe në shoqëri, por po shkohet drejt negociatave për ndarjen territoriale të Kosovës”,
shprehet Durmishi.


Decentralizimi, sipas raportit të fundit të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, tregon se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, tregon vetëm një sukses preliminar dhe se autoritetet kosovare duhet të vazhdojnë në përfundimin e decentralizimit, duke e përmirësuar pushtetin e komunave.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG