Ndërlidhjet

Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Vlerësimet e fundit të ambasadorit të OSBE-së, Hose Luis Herero, se raportet ndëretnike nuk janë në nivelin e duhur, në veçanti në zonat e përziera etnike, siç është edhe Struga, kanë bërë që Qeveria të dalë me një vendim për financimin e projekteve të dhjetëra organizatave joqevritare, për të ndihmuar forcimin e besimit ndëretnik, tolerancën dhe sferat tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike.

Për nivelin jo të mirë të raporteve mes shqiptarëve dhe maqedonasve, flet edhe Agim Dauti, kryetar i Komitetit për raportet ndëretnike në Strugë.

Fajin për gjendjen jo të volitshme në qytet, Dauti ua hedh politikanëve të pandërgjegjshëm, të cilët me çdo kusht tentojnë të përfitojnë nga akuzat mes njërës apo bashkësisë tjetër etnike.

“Një ndasi ndërmjet komuniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve, ekziston. Se kush janë fajtorët për këtë dihet - janë disa politikanë të pandërgjegjshëm që me deklarata të ndryshme në disa ngjarje i prishin këto marrëdhënie“
, thotë Dauti.

Edhe ligjëruesja universitare, Mirjana Malevska, fajin për përkeqësimin e raporteve ndëretnike ua hedh partive politike. Kjo, sipas saj, dëshmohet edhe nga anketa e fundit që ka realizuar Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, në bashkëpunim me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.

“Edhe pa këtë anketë, nga ajo që shohim dhe dëgjojmë, e dimë se liderët politikë dinë t’i keqpërdorin ndjenjat e qytetarëve që të përfitojnë pikë politike në luftën e pakompromis”.

“Pra, partitë që nuk punojnë, por përkundrazi ndikojnë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike që është shumë e rrezikshme për vendin”
, shprehet Malevska.

Qëndrim thuajse të ngjashëm ndan edhe lëvizja qytetare “Zgjohu”.

“Qytetarët janë të lodhur nga këto çështje dhe kërkojnë një ekonomi më të fortë, më të mirëfilltë, punësime si dhe perspektivë euroatlantike. Pra, nuk dëshirojnë të merren me njëri-tjetrin dhe t’i tendosin raportet mes komuniteteve”.

“Por, për fat të keq, këto marrëdhënie po bëhen peng të politikës qendrore dhe varësisht nga nevojat e politikës, marrëdhëniet ndëretnike tendosen ose jo”
, pohon kryetari i lëvizjes “Zgjohu”.

Por, për t’i përmirësuar këto raporte ndëretnike që, sipas ekspertëve, janë tensionuar nga politika, Qeveria ka vendosur të financojë projektet e së paku 20 organizatave joqeveritare, të cilat do të përfitojnë 200 mijë euro për projekte të ndryshme ndëretnike.

“Qëllimi i këtij programi është që të kontribuojë në përforcimin e bashkëpunimit me sektorin joqeveritar dhe mbështetjen e tyre në përforcimin e besimit të ndërsjellë, tolerancës dhe mirëkuptimit mes bashkësive të ndryshme etnike, që jetojnë në Maqedoni".

“Dhe, me këtë, të kontribuojnë në lehtësimin e procesit të implementimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit”,
sqaron zëvendëskryeministri Abdulaqim Ademi.

Lëvizja qytetare “Zgjohu“, ka mirëpritur nismën e Qeverisë, duke shprehur besimin se me ndarjen e fondeve ajo nuk do të tentojë që të vë kontroll mbi aktivitetet e sektorit civil, i cili deri më tani është financuar vetëm me donacione të ndryshme nga komuniteti ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG