Ndërlidhjet

logo-print

Rënie e interesimit për të bërë biznes në Kosovë


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese


Sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave të Kosovës gjatë tremujorit të dytë 2010 numri i ndërmarrjeve të reja dhe të riregjistruara është 1997.

Ndërsa, në tremujorin e parë 2010 ishte 2267, që vërehet një diferencë në mes tremujorëve për 270 ndërmarrje, shprehur në përqindje vërehet një rrënje prej 13.5 për qind krahasuar me tremujorin paraprak.

Kjo rënie e interesimit për hapjen e biznesit në Kosovë ka ngalluar shqetësim të madh tek ekspertët e çështjeve ekonomike. Ata thonë se në këtë situatë Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë mbi këto të dhëna dhe të ndikojë në përmirësimin e mjedisit afarist në Kosovë.

Eksperti i çështjeve ekonomike nga Instituti “RINVEST”, Alban Hashani, thotë për Radion Evropa e Lirë se rënia e interesimit për të bërë biznes në Kosovë reflekton gjendjen aktuale të ekonomisë në vend, e cila, sipas tij, vazhdon të jetë e papërmirësuar.
Ky mjedis afarist në Kosovë është shumë i pafavorshëm për bizneset e reja dhe, rrjedhimisht, ndërmarrjet konsiderojnë se është më e vështirë për të operuar tash në këtë mjedis afarist.



“Ky mjedis afarist në Kosovë është shumë i pafavorshëm për bizneset e reja dhe, rrjedhimisht, ndërmarrjet konsiderojnë se është më e vështirë për të operuar tash në këtë mjedis afarist”.


“E dimë se për të hapur një biznes duhet të kemi qasje në financa, por gjithashtu e dimë që ndërmarrjet në vazhdimësi po raportojnë që kushtet e financimit janë vështirësuar dhe janë keqësuar, që do të thotë se sot bankat lëshojnë kredi me kamata të larta dhe me maturitet të shkurtër”,
thotë Hashani.

Hashani thekson se janë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, pasi që ato mund të jenë forcë ekonomike që do të mund të sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike, meqë rritja ekonomike që vjen nga sektori publik, sipas Hashanit, nuk është e qëndrueshme.

“Në këtë situatë, Qeveria e Kosovës duhet të reflektojë mbi këto të dhëna dhe të ndikojë që të përmirësohet mjedisi afarist në Kosovë dhe ta bëjë më të lehtë që bizneset e reja të futen në industri të ndryshme. Gjithashtu, duhet të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të financimit”
, thekson Hashani.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, i quan të gabueshme politikat ekonomike të autoriteteve kosovare. Sipas tij, në Kosovë ende nuk është krijuar një siguri, as fizike, e as të kapitale për bizneset.

Të gjitha këto, vlerëson Tahiri, kanë bërë që në Kosovë të ketë një gjendje të ulët të zhvillimit ekonomik.

“Arsyet janë rënia e GDP-së në Kosovë, kriza e madhe ekonomike globale, e cila ka ndikuar në rënien e remitencave nga bashkatdhetarët, pastaj në aspektin e Administratës Tatimore të Kosovës ka mangësi të mëdha dhe nuk favorizohen personat që dëshirojnë të investojnë në Kosovë”,
vlerëson Tahiri.

Tahiri kërkon nga institucionet e Kosovës që të marrin masa konkrete për të ndihmuar biznesin privat në Kosovë, pasi që, siç thotë ai, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik pa zhvillimin e tyre.
Duhet të jepen subvencione të mëdha për një vit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat për herë të parë regjistrohen në Kosovë.


“Duhet të jepen subvencione të mëdha për një vit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat për herë të parë regjistrohen në Kosovë”,
shprehet Tahiri.


Sipas raportit të ESK-së, “Repertori statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike për tremujorin e dytë 2010”, thuhet se aktivitetet ekonomike më të preferuara në tremujorin e dytë të vitit 2010 janë: tregtia, e pasur nga hotelet dhe restorantet, industria përpunuese, ndërtimtaria etj.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG