Ndërlidhjet

Kabul: Tre policë afganë janë vrarë aksidentalisht


NATO-ja ka njoftuar se forcat e koalicionit kanë vrarë tre policë afganë gjatë një incidenti joarmiqësor, në pjesën veriore të Afganistanit.

Forca Ndërkombëtare Ndihmëse e Sigurisë, e udhëhequr nga NATO-ja, tha se forcat afgane të sigurisë, që ishin sulmuar nga një numër i kryengritësve, kishin bërë thirrje për mbështetje nga ajri.

Kësaj thirrjeje iu përgjigjën dy helikopterë, por hetimet e mëvonshme në vendin e ngjarjes, treguan se tre policë afganë ishin vrarë aksidentalisht dhe disa të tjerë ishin plagosur, nga ekipet e tyre të armatosura ajrore. Incidenti ndodhi dje në provincën Jowzjan.

Nga ana tjetër, sot gjashtë policë afganë janë gjetur të vrarë në stacionin e tyre në pjesën jugore të Afganistanit.

Zëdhënësi i policisë, Dawood Ahmani, tha se gjashtë policë, që ishin goditur me armatim zjarri, ishin gjetur në qarkun Greskh në provincën Helmand.
XS
SM
MD
LG