Ndërlidhjet

Punëtorët kosovarë, të pambrojtur


Punëtor kosovar, 20 gusht 2010

Punëtor kosovar, 20 gusht 2010


Në Kosovë të drejtat e punëtorëve shkelen në mënyrë drastike, thonë vetë punëtorët si dhe përfaqësues të sindikatave të pavarura të Kosovës. Ndërkaq, projektligji i punës i përgatitur nga Qeveria, disa herë është shqyrtuar në Parlament, por nuk është miratuar.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se vazhdimisht ka kërkuar miratimin e Ligjit të punës, sepse mungesa e këtij ligji, ka bërë që punëtorët kosovarë të ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet.

“Kemi kërkuar nga Qeveria që të zbatohet marrëveshja tri-palëshe nga Qeveria, Oda Ekonomike dhe BSPK-ja, kemi bërë amendamente që ata i kanë heqë nga ligji ku jemi akorduar tri palët”, bën të ditur Arifi.

Sipas tij, në shtator do të jetë leximi i dytë i projektligjit të punës, derisa mungesa ligjore krijon zbrazëtirë në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.

“Besoj që në shtator këto amendamente do të aprovohen nga Komisioni, ku do të dorëzohet në parlament. Nëse nuk dorëzohen, atëherë dikujt po i konvenon anarkia, nuk duan ligjshmëri”
, thekson Arifi.

Blerim Hoxha nga Prishtina, i cili punon në një kompani private, mendon se mungesa e Ligjit të punës ndikon shumë negativisht te punëtorët.

“Punëtorët punojnë me orar të tejzgjatur, derisa punëdhënësi mendon se ndikon në rritjen e produktivitetit të tyre. Por, një punëtor nuk mund të punojë më shumë se 8 orë, e te ne një punëtor punon edhe nga 12 orë. Po të ekzistonte Ligji i punës, atëherë një punëtor do të ishte i informuar se ku të ankohet dhe kjo do të ndikonte shumë pozitivisht te punëtorët”, shprehet Hoxha.

Edhe Rita Hajzeraj, nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, thotë se punëtorëve iu shkelen të drejtat.

“Më së shumti në vendin tonë shkelen të drejtat e punëtorëve. Jeni dëshmitarë se në çfarë gjendje ekonomike jetojnë, se sa vështirë është të gjejnë vende pune”
, thotë Hajzeraj.

Shembulli më i mirë për të treguar vërtet se sa shkelen të drejtat e punëtorëve, është edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila njihet si një nga institucionet, ku punëtorët janë më të rrezikuarit.

Prej pasluftës, në këtë institucion, në orar të punës kanë humbur jetën më shumë se 25 persona, derisa 30 për qind e punëtorëve janë lënduar.

Ndërkaq, përfaqësues të BSPK-së thonë se punëtorët kosovarë ende nuk i njohin të drejtat e tyre dhe procedurat e kërkimit të të drejtave, në rast se u mohohen ato.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG