Ndërlidhjet

logo-print

Mbështetje e kritika për arrestimet në veri


Mitrovicë

Mitrovicë

Paralajmërimet e misionit të Bashkimit Evropian për polici e drejtësi në Kosovë për nisjen e arrestimeve të personave që kanë shkelur ligjin në veri, kritikohen nga përfaqësues të serbëve të kësaj pjese të vendit. Qeveria mbështet veprimet e EULEX-it, ndërkaq opozita vlerëson se mbështetja qeveritare nuk është vërejtur në luftën e mekanizmave përgjegjës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.


Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës shprehin bindjen se hetimet e EULEX-it kundër krimit të organizuar në këtë pjesë të vendit dhe paralajmërimet se së shpejti atje të arrestohen personat e parë që kanë shkelur ligjin, kanë nuanca politike.

Ata thonë se veprimet e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit kanë të bëjnë pak me drejtësi por, siç thuhet, kanë për qëllim imponimin e shtetit të Kosovës.

Një nga politikanët serbë në veri, Millan Ivanoviq, theksoi se deklaratat që flasin për ekzistimin e kriminalitetit në veri të Kosovës, theksohen për t’ia hapur rrugën ndërhyrjes së mekanizmave të ndryshëm në jetën e serbëve në veri të vendit.
Milan Ivanoviq


“Potencimi në vazhdimësi i kriminalitetit, të cilin vetëm ata e shohin, në të vërtetë është në funksion të përballjes me institucionet tona dhe njerëzit tanë”.

“Ato janë në funksion të paraqitjes së intervenimeve të tilla, kinse kanë të bëjnë me kriminalitetin, por në esencë ato janë tentime për implementimin e dhunshëm të kuazi-shtetit, të cilin serbët në mënyrë demokratike e kanë kundërshtuar”
, shprehet Ivanoviq.


Zyrtarë të lartë të EULEX-it paralajmëruan ditë më parë se në javët e ardhshme, në veri, pritet të nisë arrestimi i personave të parë që kanë shkelur ligjin.

Gjashtë nga 25 rastet, të cilat ky mision po i heton në pjesën veriore të Kosovës, e që janë të ndërlidhura me kontrabandë, krim të organizuar, korrupsion, vrasje dhe tentim-vrasje, cilësohen si serioze dhe të profilit të lartë.

Megjithatë, në EULEX nuk deshën ta komentojnë pasqyrën kohore se kur mund të ndodhin arrestimet e para, për shkak të, siç thuhet, mundësisë për pengimin e hetimeve në zhvillim.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë mbështetur iniciativën e EULEX-it për të vënë para drejtësisë njerëzit e përfshirë në veprime anti-ligjore në veri.

Një mbështetje e tillë, sipas opozitës kosovare, nuk është e dukshme deri më tani. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, qartëson qëndrimin e subjektit politik që përfaqëson:

AAK

“Deri më tash është parë që Qeveria nuk është e gatshme të japë kontributin e vet në aspektin e luftimit të krimit të organizuar në veri të Kosovës dhe askund tjetër në Kosovë. Pra, presim që EULEX-i të jetë adresa kryesore dhe përgjegjësi kryesor për të luftuar krimin e organizuar atje”
.

Po ashtu, Ramadani e quan të domosdoshëm veprimin e menjëhershëm kundër krimit të organizuar dhe dukurive të tjera në kundërshtim me ligjin në pjesën veriore të Kosovës.

Ndonëse nga EULEX-i nuk është dhënë asnjë informatë lidhur me profilin e personave të dyshuar për krim të organizuar në veri, në mesin e personave që do të dalin para ligjit, sipas Ramadanit, nuk janë vetëm serbë lokalë të veriut, por mund të jenë edhe zyrtarë institucionalë të Kosovës dhe ata të mediave.

“Kjo sigurisht ka për adresë grupe të caktuara të organizuara që merren me krim të organizuar dhe kontrabandë që kryesisht besohet se janë serbë lokalë, por po ashtu ka të përfshirë edhe zyrtarë të institucioneve të Kosovës të komunitetit shqiptar, apo edhe disa në media. Kushdo që është i përfshirë atje duhet të vendoset para ligjit-pra, para drejtësisë”
, thekson Ramadani.

Mungesa e një kontrolli të mjaftueshëm në pikat doganore 1 dhe 31 në veri të Kosovës, thuhet se ka çuar në rritjen e shkallës së kontrabandimit të mallrave përmes këtyre pikave.

Këto pika kufitare ishin djegur nga serbët protestues pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa kishin mbetur me një kontroll të zbehtë deri në vendosjen e doganierëve të EULEX-it atje.
XS
SM
MD
LG