Ndërlidhjet

Letra, shenjë e jetës


Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, tregon letrën e dërguar nga minatorët e ngujuar qe 17 ditë në minierën San Esteban
Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, tregon letrën e dërguar nga minatorët e ngujuar qe 17 ditë në minierën San Esteban
Ekspertët thonë se procedura e nxjerrjes së minatorëve nga miniera në Kili mund të zgjasë nga 3-4 muaj.

Raportimet nga miniera e bakrit dhe arit e San Estebanit, në veri të Kilit, thonë se gurët e rrëzuar në masë të madhe më 5 gusht janë jo stabilë dhe se mund të ketë edhe lëvizje të tjera gurësh.

Kjo i komplikon tentativat e shpëtimit, ndërsa ekspertët e minierës tregojnë se ata do të fillojnë me shpimin e një grope në formë pusi në një zonë që nuk është prekur nga lëvizjet e gurëve.

Shpresat për të gjetur të mbijetuar ishin pakësuar deri në momentet kur një sondë e futur thellë nën tokë doli në sipërfaqe me një letër ku me ngjyrë të kuqe shkruante se të gjithë minatorët e ngujuar, pikërisht 33 të tillë janë mirë dhe se janë vendosur në një strehë emergjente.

Të afërmit e mbledhur pranë minierës këndonin nga gëzimi derisa presidenti i Kilit, Sebastian Pinera, ua tregonte për lajmin.

“Dua të them sot se i gjithë vendi po qan nga gëzimi dhe emocionet. Gjëja e parë që dua të bëj është t’i falënderoj minatorët për fuqinë, kurajën për të mbijetuar për më shumë se dy javë, vetëm, në thellësinë e malit. Dua t’i falënderoj edhe anëtarët e familjeve të tyre”
, tha presidenti i Kilit, Sebastian Pinera.

Pas letrës së parë, në sipërfaqe doli edhe një letër e dytë e shkruar nga minatori më i vjetër që ka mbetur i ngujuar. Gjashtëdhjetetre vjeçari Mario Gomez, i shkruan bashkëshortes së tij, Liliana Gomez, se “Zoti është i Madh”. Në të njëjtën letër, minatori Gomez shpreh besimin e tij se ata do të jenë mirë.

Vajza e tij, 28-vjeçare, Roksana, ishte tepër e gëzuar.

“Kur im atë të dalë jashtë, do t’i them një milion herë se e dua. Një milion herë do t’i them... Askush nuk do të mund të ma marrë gëzimin që e ndjej tani”,
u shpreh e emocionuar vajza e minatorit.

Ndërkohë, punëtorët e shpëtimit dërguan edhe një video-kamerë nën tokë, përmes së cilës shiheshin minatorët e ngujuar.

Ata dukeshin të lodhur ndonëse në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa qeshnin përballë kamerës.

Ushqimet që ishin brenda strehës ku gjenden minatorët, iu kanë mundësuar atyre që të mbijetojnë këtë 17 ditësh sa kanë mbetur të ngujuar.

Minatori Gomez gjithashtu kishte shkruar se ata kanë gërmuar një kanal për ujë dhe se kanë shfrytëzuar akumulatorët e një traktori për të bërë dritë.

Plani i ri është që minatorëve t’u dërgohet ushqim i pasur me minerale, ujë dhe ilaçe përmes tubit si dhe një kabllo që do të mundësonte komunikimin mes minatorëve dhe familjarëve të tyre.

Psikologët thonë se kontaktet e tilla do të jenë të rëndësishme që të ruajnë shëndetin mendor të personave të ngujuar gjatë muajve në vijim, derisa të nxirren nga aty.

Presidenti Pinera premtoi një rishikim me qëllim përmirësimi të rregulloreve për minierat në Kili. Ky vend latino-amerikan është prodhuesi më i madh i bakrit në botë dhe një eksportues i rëndësishëm i arit.

Presidenti kilian tashmë përjashtoi disa zyrtarë nga puna që kishin të bënin me rregulloret e minierave.

Miniera ku ka ndodhur ngujimi i minatorëve, është pronë private. Gjatë viteve të fundit në këtë minierë të San Estebanit janë raportuar disa aksidente, prej të cilave 16 minatorë deri më tash e kanë humbur jetën. (a.h.)
XS
SM
MD
LG