Ndërlidhjet

Privatizimi i ndërmarrjeve jashtë Kosovës


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Me gjithë faktin se Agjencia Kosovare e Privatizimit në valën e fundit ka shpallur në tender privatizimin e një objekti që gjendet në Serbi, interesimi i blerësve ka munguar, thonë zyrtarë të kësaj agjencie.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, thotë se kjo agjenci muajin e kaluar ka paraqitur për shitje një lokal, i cili gjendet në Kralevë, në Republikën e Serbisë.

Ai tregon se objekti është aset i ish-organizatës punuese për veprimtari grafike” Progres”, nga Mitrovica.

Ky aset është një hapësirë komerciale që përfshin një shitore, me një sipërfaqe prej 16 m2 dhe gjendet në një pjesë atraktive të qytetit të Kralevës, do të thotë në Republikën e Serbisë. Fatkeqësisht, për këtë aset nuk kishte asnjë ofertues”, sqaron Kaloshi.

Ky aset, i cili gjendet në Republikën e Serbisë, sipas Kaloshit, është paraparë të shitet nëpërmjet procesit të likuidimit së bashku me 21 asete të tjera të ndërmarrjes.

Në anën tjetër, nga të dhënat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ekzistojnë rreth 155 asete të 55 ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë.

Ylli Kaloshi thotë se Agjencia Kosovare e Privatizimit ballafaqohet me probleme të ndryshme sa i përket privatizimit të aseteve jashtë territorit të saj.

Problemet më të theksuara, sipas tij, janë me asetet që gjenden në Serbi dhe Mal të Zi.
...AKP-ja ka hasur në vështirësi të vazhdueshme kur është fjala për qasjen e saj në prona dhe asete të ndërmarrjeve shoqërore që janë jashtë territorit të Republikës së Kosovës...


“Duhet të theksohet se AKP-ja ka hasur në vështirësi të vazhdueshme kur është fjala për qasjen e saj në prona dhe asete të ndërmarrjeve shoqërore që janë jashtë territorit të Republikës së Kosovës, pasi që ka raste të uzurpimit të pronave nga persona të paautorizuar. Kjo dukuri është e theksuar sidomos në Serbi dhe Mal të Zi”,
thekson Kaloshi.

Por, pavarësisht këtyre, njohës të çështjeve ekonomike, e vlerësojnë në mënyrë pozitive fillimin e procesit të privatizimit të objekteve që gjenden jashtë Kosovës.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se AKP-ja, sa më shpejt duhet t’i privatizojë ndërmarrjet më të mëdha në këto vende, dhe mjetet e tyre t’i kthejë në Kosovë.

Bektashi, ndërkaq, thekson se shitja e ndërmarrjeve jashtë vendit, përveçse do të ndikojë në rritjen e buxhetit, do të ketë edhe efekte tjera pozitive.
shumë shpejt duhet të mbahet një konferencë për sukcesionin ekonomik, në mes të ish-Republikave, ku patjetër duhet të marrë pjesë edhe Serbia, që këto prona të definohen në mënyrë të qartë...



“Unë besoj se shumë shpejt duhet të mbahet një konferencë për sukcesionin ekonomik, në mes të ish-Republikave, ku patjetër duhet të marrë pjesë edhe Serbia, që këto prona të definohen në mënyrë të qartë, dhe të njëjtat të mos keqpërdoren dhe keqmenaxhohen nga ana e personave jo të autorizuar”,
shprehet Bektashi.


Agjencia Kosovare e Privatizimit ka të drejtë t’i privatizojë objektet asete të ndërmarrjeve kosovare, që janë nën menaxhimin e AKP-së, edhe nëse ato gjenden jashtë territorit të saj, pavarësisht se shteteve tjera nuk u lejohet privatizimi i ndërmarrjeve të tyre që gjenden në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG