Ndërlidhjet

Berlin: Të permirësohen raportet Kosovë-Serbi



“Është koha të fokusohemi në hapat praktike për të normalizuar dhe përmirësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë” tha zëdhënësi i Minsitrisë së Jashtme të Gjermanisë, Andreas Peshke.

“Ne kemi qenë një ndër vendet e para që e kemi njohur Kosovën dhe një nga shtetet që kanë kontribuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Jemi shumë të interesuar për zhvilimin pozitiv të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare”, tha Peshke. Komentet e tij u bënë gjatë konferencës së shtypit në prag të turneut ballkanik të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Vestervele.

Të njëjtat burime theksojnë se gjatë turneut Vestervele do të nxisë përmbyljen paqësore për çështjen e Kosovës dhe reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Turneu tre ditor do të fillojë të mërkurën në Kroaci, do të vazhdojë me Serbinë dhe Bosnjën të enjten dhe të premten do të përmbyllet me vizitën në Kosovë, tha zëdhënësi Andreas Peshke.

Vestervele do të takohet me udhëheqësit politikë, drejtuesit e biznesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në të gjitha vendet që do të vizitojë. Në Kosovë ai do të takohet dhe me trupat gjermane që veprojnë në kuadër të KFOR-it.

“Ministri i Jashtëm do të nënvizojë rëndësinë e madhe që ka siguria dhe stabiliteti i Balkanit Perëndimor për Evropën si tërësi. E gjitha kjo do të shihet në perspektivën evropiane, që është dhe qasja e Gjermanisë ndaj gjithë rajonit”, tha Peshke.

Qëndrimet e Gjermanisë në raport me Ballkanin Perëndimor Vestervele do t’i bëjë publike gjatë një fjalimi në Akadaeminë e Shkencave në Zagreb.
Në Beograd ai do të takohet me një grup të diplomuarish të rinjë, kurse në Kosovë do të mbajë një fjalim para Kuvendit. Në fjalën e tij në Prishtinë ai do të theksojë mbështetjen e Gjermanisë për “zhvillimin demokratik dhe të pavarur të Kosovës”.
XS
SM
MD
LG