Ndërlidhjet

Berlin: Të përmirësohen raportet Kosovë-Serbi


Gjermani
Gjermani

“Është koha të fokusohemi në hapat praktikë për të normalizuar dhe përmirësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Andreas Peshke.

“Ne kemi qenë një ndër vendet e para që e kemi njohur Kosovën dhe një nga shtetet që kanë kontribuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Jemi shumë të interesuar për zhvillimin pozitiv të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare”,
theksoi Peshke.

Komentet e tij u bënë gjatë konferencës për shtyp në prag të turneut ballkanik të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Vestervele.

Të njëjtat burime theksojnë se gjatë turneut, Vestervele do të nxisë përmbylljen paqësore për çështjen e Kosovës dhe reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Turneu treditor do të fillojë të mërkurën në Kroaci, do të vazhdojë me Serbinë dhe Bosnjën të enjten dhe të premten do të përmbyllet me vizitën në Kosovë, tha zëdhënësi Andreas Peshke.

Vestervele do të takohet me udhëheqësit politikë, drejtuesit e biznesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në të gjitha vendet që do të vizitojë. Në Kosovë ai do të takohet dhe me trupat gjermane që veprojnë në kuadër të KFOR-it.

“Ministri i Jashtëm do të nënvizojë rëndësinë e madhe që ka siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor për Evropën si tërësi. E gjithë kjo do të shihet në perspektivën evropiane, që është dhe qasja e Gjermanisë ndaj gjithë rajonit”,
shtoi Peshke.

Qëndrimet e Gjermanisë në raport me Ballkanin Perëndimor, Vestervele do t’i bëjë publike gjatë një fjalimi në Akademinë e Shkencave në Zagreb.

Në Beograd ai do të takohet me një grup të diplomuarish të rinj, kurse në Kosovë do të mbajë një fjalim para Kuvendit.

Në fjalën e tij në Prishtinë, ai do të theksojë mbështetjen e Gjermanisë për “zhvillimin demokratik dhe të pavarur të Kosovës”. (i.b)

XS
SM
MD
LG