Ndërlidhjet

logo-print

Ende nuk dihet data e sesionit të AP-së


Asambleja e Përgjithshme

Asambleja e Përgjithshme


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do ta diskutojë propozim rezolutën e Serbisë lidhur me Kosovën me datën 9 shtator, kanë paralajmëruar mediet serbe.

Këto të fundit thonë se Abdulasalam Treki, ministri libian që është zgjedhur në krye të sesionit të 64-të, të Asamblesë së Përgjithshme, e ka pranuar kërkesën e Serbisë që debati për propozim-rezolutën rreth Kosovës të mbahet më 9 shtator.

Por, një gjë të tillë, përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të Kosovës e hedhin poshtë. Ministri Skënder Hyseni thotë se nuk janë të njoftuar se kur saktësisht do të mbahet mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme dhe deklaratat në mediat serbe për datën 9 shtator, i quan spekulime.

Skënder Hyseni

“Ende nuk ka informatë zyrtare, janë të gjitha spekulime. Unë kam pak gatishmëri për t’i komentuar spekulimet, sidomos ato që dalin nga mediat ose nga qarqet politike në Beograd, sepse në të shumtën e rasteve janë shumë çorientuese dhe bëhen me këtë qëllim”,
thotë Hyseni.

Ministri Hyseni shton se kohëve të fundi ka dëgjuar data të ndryshme lidhur me mbajtjen e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, por kjo, siç thotë ai, ka pak rëndësi.

“Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është në sesion të përhershëm një vit, nga 14 shtatori në tjetrin. Këto ditë unë po e vërej një moskuptim thelbësor të funksionit të Asamblesë së Përgjithshme dhe nga kjo po dalin shumë keqkuptime dhe shumë druajtje të panevojshme”.


“Flitet për 3 shtator, pastaj ka ndryshuar - flitet për 7 shtator... 8, 9, që koincidon me Ditën e Bajramit dhe kjo është festë zyrtare në OKB dhe nuk shoh relevancë dhe se ku qëndron pesha e datës - kjo ka fare pak rëndësi”,
thekson Hyseni.

Duke iu referuar burimeve zyrtare në Beograd, mediat theksojnë se dokumenti është kërkuar të diskutohet në të njëjtën ditë me propozim rezolutën për Nagorni Karabakun, vend ky që njihet si një ndër konfliktet e ngrira në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik.

Edhe për këtë ministri Hyseni thotë se nuk është e vërtetë.

“Dikush mund ta lidhë me një rezolutë të mundshme, e cila mund të jepet për votim për Nagorni Karabak. Unë i kam parë edhe ato spekulime dhe filozofime shterpe, të cilat janë pa substancë dhe çorientuese, mirëpo nuk qëndrojnë”
, nënvizoi Hyseni.

Nga ana tjetër, edhe analisti politik, Ramush Tahiri, konsideron se ka pak rëndësi data e mbajtjes së sesionit të radhës të Asamblesë së Përgjithshme.

Sipas tij, është i rëndësishëm debatimi i rezolutës serbe.

Ramush Tahiri

“Për mua është me rëndësi që rezoluta serbe do të debatohet dhe në kuadër të debatit të secilit shtet, mund të propozohen edhe amendamentime, mund të propozohet edhe votim, madje edhe rezolutë tjetër ose ndryshim rezolutë-kontra rezolutë”.

“Mendoj se Serbia dëshiron ta zhvleftësojë mendimin e GJND-së, i cili është pro Kosovës dhe gjithashtu unë mendoj që në këtë zhvlerësim, edhe nëse nuk miratohet asnjë rezolutë tjetër, e cila është pro këtij mendimi, Serbia do ta konsiderojë që është sukses i saj”
, vlerëson Tahiri.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme deklarojnë se janë mjaft të përgatitur për këtë mbledhje kudo që të mbahet ajo.

Ata thonë se nëse do të nxirret ndonjë rezolutë nga Asambleja e Përgjithshme, ajo do të jetë në favor të Kosovës dhe në harmoni me mendimin e GJND-së.

Sesioni i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për herë të parë do të ndiqet nga një përfaqësues i Bashkimit Evropian, pasi BE-ja ka marrë statusin e organizatës vëzhguese.

Ndryshe, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, gjatë një ligjërate të mbajtur të hënën në Fakultetin e Filologjisë, me rastin e organizimit të Seminarit XXIX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, para të pranishmëve tha se kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës janë duke e shqyrtuar më shumë se 30 shtete.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG