Ndërlidhjet

Xhihadi i Rock & Roll-it kundër ekstremistëve

  • RFE /RL

Salman Ahmed

Salman Ahmed

Salman Ahmad e ka shpallur atë që e quan “Xhihadin e Rock & Roll-it” kundër ekstremistëve fetarë në Pakistan, të cilët pohojnë se muzika është jo-islamike.

Njëri nga rok muzikantët më të suksesshëm të Pakistanit, e sheh këtë si betejë për të ardhmen e kulturës në vendin e tij, por edhe si betejë për identitetin e tij personal si mysliman sufi.

Salman Ahmad ishte 19 vjeç, student i mjekësisë, kur në vitin 1982 për të parën herë performoi muzikë në skenë në vendin e tij në Pakistan.

Ai sapo ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara, ku kishte fituar para duke pastruar tavolinat e restoranteve dhe duke shpërndarë gazeta, që të blejë një kitarë elektrike. Në koncertin që mbajti në Lahore, ai këndoi një këngë të rok-grupit Van Halen.

Papritur, Ahmad dëgjoi ulërima nga një bandë e të rinjve me mjekra, që u vërsulën drejt skenës. Ata ishin manifestim i hershëm i talibanëve, studentë ekstremistë islamistë të afërt me një parti fetare lokale, duke vepruar si polici e vetëshpallur e muzikës.

Ahmad thotë se një student mjekrosh u ngjit në skenë dhe ia grabiti kitarën elektrike. “Sytë e tij ishin të mbushur me çmenduri, e cila nuk ka kurrfarë lidhje me Zotin”, rrëfen Ahmad, të cilit kitarën ia bënë copë-copë.

Ahmad thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ngjarje ishte kthesë në jetën e tij, ishte çasti kur shpalli “xhihadin e rock & roll-it” kundër “ideologjisë së urrejtjes”.

“Talibanët dhe modeli i tyre i islamit nuk ka të bëjë fare me islamin. Islami nuk ju mëson të vrisni gra, burra dhe fëmijë të pafajshëm. Islami nuk ju mëson të bëni vetëvrasje. Kjo është haram, e ndaluar. Ideologjia e urrejtjes dhe e terrorizmit nuk kanë vend në islam, dhe askund në botë”,
rrëfen Ahmad.

Në vitet pasi pararojat e talibanëve ia shkatërruan kitarën e çmuar, Ahmad formoi rok grupe klandestine në Pakistan, të cilat do ta përzienin rokun perëndimor me muzikën mistike dhe poezinë e sufizmit, për të krijuar një lloj të “rokut sufi”.

Ai do të bëhej së shpejti pjesë e njërit nga dy grupet më të suksesshme muzikore në Pakistan dhe Azinë Jugore, duke shitur miliona CD. Më pas e themeloi grupin e vet “Junon”.

Salman Ahmad do të shfaqej para qindra mijë dashamirëve në stadiumet e mbushura plot dhe sallat koncertale në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme, Kinë, Japoni dhe në Perëndim, duke performuar në Royal Albert Hall në Londër dhe në sallën e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Në vitin 2007, kur ish-nënpresidenti amerikan, Al Gore, e fitoi çmimin Nobel, Ahmad u bë pakistanezi i parë që performoi në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Oslo të Norvegjisë.

Ahmad thotë se e ka pasur pasion muzikën që në ditët e fëmijërisë së hershme, kur i dëgjonte këngët sufi në vendlindjen e tij në Lahore.
(v.p.)


XS
SM
MD
LG