Ndërlidhjet

WP: Asnjë kompromis për lirinë fetare



"Washington Post"


Kur bëhet fjalë për një xhami që nuk është as shumë afër “Nivelit Zero” (vendi ku ka ndodhur sulmi i 11 Shtatorit 2001) për përkrahësit e saj, por as mjaftueshëm larg për kundërshtarët, fjala shqetësuese “kompromis” tani ka filluar që të hidhet si propozim.

Kompromisi u sugjerua nga guvernatori i Nju-Jorkut, David Paterson, Arqipeshkvi Timoti M. Dolan si dhe nga ish-këshilltarja e rëndësishme e presidentit Xhorxh Bush, Karen Hjus, përmes gazetës Sandej Post.

Të gjithë këta janë njerëz me qëllim të mirë, por ata nuk e kuptojnë që në këtë rast, dallimi në mes kompromisit dhe humbjes nuk ekziston.

Kjo nuk është një çështje e komplikuar. Nëse besoni që një fe e tërë me mbi 1 miliard pasues i ka sulmuar SHBA-të më 11 shtator 2001, atëherë është e kuptueshme që të ndërtosh xhami afër Qendrës së shkatërruar Botërore Tregtare, mund të jetë shqetësuese. Por, faktet tregojnë të kundërtën. Islami nuk ishte i përfshirë në sulm, vetëm një bujashkë e besimtarëve.

Përderisa puna qëndron kështu, njerëzit me ndjenja të lënduara po gabohen. Ata kanë nevojë për mirëkuptimin tonë, jo kënaqësinë tonë.

Nëse, në anën tjetër, ju nuk besoni që sulmi është bërë nga një fe e tërë, ju e keni detyrim moral që ta përkrahni krijimin e Qendrës Islamike. Shumë njerëz bëjnë pjesë në këtë kategori, ose së paku thonë se janë, por megjithatë kundërshtojnë ndërtimin e xhamisë.

Ky grup i njerëzve përfshinë kandidatin republikan për guvernator të Nju-Jorkut, Rick Lazio, dhe përdoruesen e acartë të rrjetit, Twitter, Sarah Palin.

Ata kënaqen me një lloj pornografie analogjike, pak a shumë cirk demagogjik që po shfaqet çdo herë e më shumë. Ata sillen sikur e kanë obligim solemn që ta mbrojnë shumicën (e fuqishme), nga kërkesat e pakicës (së pafuqishme) dhe veprimtarët e tjerë, emocionet e të cilëve po mbështeten në keqinterpretimin e fakteve.

Disa nga ata që tashmë kanë arritur një lloj moshe, i kujtojnë ditët kur afro-amerikanëve dhe veprimtarëve të tyre iu thuhej që të kenë kujdes dhe të ngadalësojnë veprimet e tyre, të bëjnë kompromis.

Atyre iu thuhej që t’i kishin në konsideratë ndjenjat e buta të të bardhëve, pavarësisht se sa i shëmtuar ishte racizmi i tyre pasi duhej mbrojtur mënyrën naive Skarlet O’Hara të jetës.

Në atë kohë kishte edhe politikanë udhëheqës që e pranuan këtë kurs, si p.sh., presidenti Ajzenhauer. E gabuar ishte që të bëheshe më pak ashtu, por e drejta në mënyrë të dhimbshme shtyhej.

Cili ishte kompromisi? Mesi i autobusit?

Nga ajo kohë nxjerr një term, presioni moral, që nuk detyrohet nga forca, por autoriteti. Në mënyrë të vazhdueshme, aktivistët e të drejtave të njeriut i kërkonin Ajzenhauerit që të përdorte fuqinë, autoritetin e tij, që të drejtojë vendin në një kurs moral, që të tregojë një shembull.

Për kohën më të gjatë, Ajk, refuzoi një kërkesë të tillë. Heroi i Normandisë disi harroi që si të udhëheqë derisa guvernatori i Arkansasit, Orval Faubus e detyroi presidentin që ta përdorë forcën. Kjo kohë mbetet si një njollë e madhe për dosjen shembullore të Ajzenhauerit.

Tani po ndodh diçka e njëjtë. Kjo nuk po ndodh, thjesht, vetëm për shkak të politikanëve të paskrupujt që përmes demagogjisë po e trajtojnë çështjen e xhamisë, por edhe për shkak se të tjerët e kanë mbyllur gojën.

Bordi redaktorial i Washington Post-it sugjeroi që Bushi të tregojë qëndrimin e tij pasi ai gjithmonë ka shfaqur lidership shumë të mirë në çështjet ndërfetare. Këshilltarja e tij, Hjus, e cila më pas sugjeroi ndërtimin e xhamisë diku tjetër, është dashur ta përcjellë logjikën e saj. Ndërsa, arqipeshkvi në vend që të kërkojë kompromis, është dashur që t’iu sugjerojë besimtarëve të tij që të tregojnë tolerancë. Ai nuk është një ndërmjetës pune, ai është udhëheqës moral.

Ndër vite, mijëra priftërinj kanë abuzuar me disa mijëra fëmijë. Ky është një fakt hidhërues. Megjithatë, asnjë person nuk mund të besojë që të gjithë priftërinjtë janë pedofilë dhe se një plan për ndërtimin e një kishe mundet apo duhet që të kundërshtohet nga viktimat e pedofilisë priftërore.

Ne e dimë dallimin në mes të veprimeve të individëve edhe nëse janë shumë individë të përfshirë, me dogmën apo besimin e një feje të tërë. Unë jam hebre, por mos më gjykoni mua përmes veprimit të Baruh Godlstajn, i cili në vitin 1994 vrau 29 myslimanë në Hebron.

Derisa fliste si e ftuar në emisionin e ABC-s, “This Week” të Kristijanë Amanpurit, Dejzi Kan, iniciatore e ndërtimit të xhamisë dhe gruaja e imamit të saj ka refuzuar çdo kompromis. Ajo kishte të drejtë të sillej ashtu, sepse të bësh kompromis është të biesh dakord, qoftë edhe pak nëse është fjala, me argumentet e fanatikëve, demagogëve apo atyre që nuk janë fare të informuar. Kjo çështje nuk është më lufta e saj. Tani, kjo është lufta e të gjithëve.
XS
SM
MD
LG