Ndërlidhjet

“Jetët e zhdukura”


Pamje gjatë protestave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, Prishtinë

Pamje gjatë protestave për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, Prishtinë

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq u ka bërë thirrje qeverive në ish-Jugosllavi të bëjnë më shumë për të zbardhur fatin e 15 mijë të pagjeturve nga luftërat e viteve ‘90. Në këtë kuadër, thirrje i është bërë edhe Serbisë dhe Kosovës. Autoritetet në Kosovë thonë se sa i përket viktimave të mundshme brenda Kosovës, ato hulumtohen pa u penguar. Por, ata thonë se çështja është e politizuar në Beograd.


Familjarët e më shumë se 1800 personave në Kosovë, apo të 15 mijë personave në vendet e ish-Jugosllavisë, ende janë në kërkim të zbulimit të fatit të të afërmve të tyre, të zhdukur në luftërat e viteve ’90.

Ndërsa, qeveritë e vendeve të rajonit thonë se po përpiqen që ta zgjidhin këtë çështje të ndjeshme, familjarët e të pagjeturve dyshojnë se përpjekjet e tyre janë të sinqerta.

Haki Kasumi nga Asociacioni i Familjarëve për Personat e Pagjetur, thotë se asnjë politikan nuk mund ta kuptojë gjendjen e rëndë të atyre që vazhdojnë të kërkojnë për fatin e të afërmve të zhdukur në luftë.

“Gjendja e familjarëve, që presin tash e më tepër se 11 vjet informacione për më të dashurit e tyre, është shumë e rëndë, e papërshkrueshme, dhe po ju them të drejtën, po e përsëris prapë, e kam thënë se çfarëdo poeti, çfarëdo shkrimtari, është e pamundur të përshkruajë gjendjen e tyre”.

“Gjendjen dhe pozitën e tyre mund ta kuptojë vetëm ai njeri, i cili ka përjetuar ose është në gjendje të njëjtë si ata. Me fjalë të tjera, ajo gjendje është aq e rëndë sa që meriton një përkujdesje, meriton një qasje ndaj tyre dhe ndaj problemit të tyre, shumë më serioze, sesa që është bërë deri më tash”,
shprehet Kasumi.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka kërkuar nga qeveritë në ish-Jugosllavi të bëjnë më shumë për të zbardhur fatin e 15 mijë të pagjeturve nga luftërat e viteve ‘90.
Fotografi të personave të pagjetur në rrethojat e Kuvendit

“Pas këtyre statistikave të thata qëndrojnë individë, burra, gra dhe fëmijë, jetët e të cilëve u ndanë më dysh nga dhuna e paparë”
, është shprehur kreu rajonal i KNKK-së, Pol Anri, në hapje të ekspozitës së KNKK-së me titull “Jetët e zhdukura”.

Ky projekt i sjell rrëfimet e 15 njerëzve nga Kroacia, Bosnja, Serbia dhe Kosova, familjarët e të cilëve janë zhdukur gjatë luftërave.

Kasumi shpreson që të dëgjohet ky apel i Kryqit të Kuq, i cili në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjen e të zhdukurve, ka luajtur dhe luan rolin e ndërmjetësit.

“Dashtë Zoti që ai apel, ajo thirrje të adresohet, apo të qëllojë te kompetentët, të cilët konsiderohen se me angazhim të shtuar kanë mundësi që të sjellin informata dhe të garantojnë rezultate, që do të ishin të pranueshme, të mirëseardhura”.

“Familjarët qe 11 vjet presin në ankth një informacion - realizim i një të drejte elementare për të ditur se çka u ka ndodhur familjarëve të tyre
”, sqaron Kasumi.

Prishtina zyrtare thotë se është e gatshme të hulumtojë dhe gërmojë vendndodhjet ku dyshohet se mund të jenë varrosur persona nga komunitetet joshqiptare të vrarë gjatë luftës.

Nga mbi 1800 persona të zhdukur në Kosovë, shumica janë shqiptarë, por ka edhe nga komunitetet tjera.

Duke protestuar për të pagjeturit, Prishtinë

Kreu i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, thotë se Kosova është e gatshme të ofrojë informacione për të pagjeturit në Kosovë, por, sipas tij, është Serbia ajo që gatishmërinë për të zbuluar fatin e të pagjeturve e ka shprehur vetëm deklarativisht.

“Sa i përket aspektit politik, nga fillimi Serbia e ka politizuar këtë çështje se nuk ka kërkuar me kohë dhe me dëshirë, por vetëm atëherë kur ka synuar ndonjë efekt politik, sepse njerëzit që i kanë kryer veprat, janë gjallë, lëvizin lirshëm, madje edhe mund të ushtrojnë ndonjë detyrë; dihen mirë bartësit e atyre aktiviteteve, dhe përgjegjësitë nuk janë ndërmarrë aspak”.


“Kështu që edhe Tribunali i Hagës, në këtë aspekt mendoj se ka gabuar, ose ka qenë neglizhent, sepse 9 persona, sa kam unë informacione, janë përgjigjur për çështjen e krimeve që janë bërë në Kosovë, e aty kanë qenë me qindra e qindra persona, që kanë zhvilluar aktivitete kriminale”
, thotë Gjetaj.

Gjetaj hedh dyshime se edhe në varrezën e fundit masive, që dyshohet të jetë në Rudnicë të Serbisë, hulumtimet nuk janë bërë në vendin e duhur.

“Kemi dyshime për Rudnicën dhe vazhdojmë t’i mbështesim ato dyshime, sepse mendojmë se nën objektin e ndërtuar gjendet varreza masive, ngaqë edhe vetë Prokuroria serbe e ka pranuar”
.

“Ndërsa, në liqenin e Peruçacit është bërë një hulumtim, por ajo formë e hulumtimit nuk ka dhënë ndonjë rezultat, e as mundësi të pritet ndonjë rezultat ndryshe. Tani jemi në kërkim të një forme të hulumtimit përmes incizimit me një aparaturë dhe jemi në bisedime se a mund të bëjmë hulumtim nën ujë, sepse uji është i thellë”, thekson Gjetaj.

Por, me gjithë dyshimet e autoriteteve kosovare, zyrtarët në Serbi thonë se janë të gatshëm që të shkojnë përpara në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Kreu i Komisionit për të Pagjeturit në Serbi, Veljko Odalloviq, kërkon përshpejtim të këtij procesi.

”Është e qartë se dinamika dhe procesi i ngadalshëm në zgjidhjen e kësaj çështjeje, është diçka që kërkon angazhim të shtuar, jo vetëm të trupave që merren me të pagjeturit, por edhe të gjithë ata që mund të kenë informacione që të përshpejtojnë identifikimin e trupave të pagjetur”
, thotë Odaloviq.

Prishtina dhe Beogradi me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar takohen rregullisht për të zbardhur fatin e të pagjeturve.

Mirëpo, pothuaj pas çdo takimi, Kryqi i Kuq kritikon qeveritë se nuk po bëjnë sa duhet për të zgjidhur këtë problem.
XS
SM
MD
LG