Ndërlidhjet

Partitë opozitare në Kosovë mbështesin deklaratat e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, i cili kërkoi ndërprerjen e koalicionit aktual PDK-LDK. Me gjithë përkrahjen, opozita beson se Mustafa nuk e ka mbështetjen e nevojshme as në LDK që të bëjë ndryshime, kështu që fton edhe qytetarët që t’i mbështesin kërkesat dhe idetë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.


Opozita në Prishtinë kritikon Qeverinë dhe koalicionin aktual për mungesë të vizionit qeverisës dhe fton qytetarët të mbështesin idetë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova, thotë se është fakt që sot, në Kosovën e pavarur, njerëzit po jetojnë në kushte më të rënda sesa në kohën e administrimit nga Kombet e Bashkuara.

Në formën e pyetjeve, Rugova shtroi shumë dilema pse, sipas tij, në Kosovë sot mbretëron një gjendje kaq e rëndë.
Kanë dështuar në reformimin e shtyllave kryesore të shtetit, në drejtësi, siguri, arsim dhe shëndetësi.


“Çka po ndodh me strategjinë për veriun, ku është projekti i Termocentralit 'Kosova e Re'? Në vitin e tretë si shtet, nuk kanë qenë në gjendje të prodhojnë targa për automjete, dështuan në procesin e privatizimit; korrupsioni dhe krimi i organizuar lulëzon në institucione, kanë premtuar zvogëlimin enorm të shpenzimeve qeveritare, fatkeqësisht statistikat flasin se ato janë trefishuar. Kanë dështuar në reformimin e shtyllave kryesore të shtetit, në drejtësi, siguri, arsim dhe shëndetësi”,
thotë Rugova.

Ai fton edhe qytetarët që t’i përkrahin idetë për zgjedhje të parakohshme, duke e parë procesin zgjedhor si shpëtimin e vetëm nga kjo qeverisje.

Ndërkaq, duke iu referuar deklaratave të djeshme të kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili tha se kjo qeverisje nuk i sjell ndonjë dobi Kosovës, dhe kërkoi prishjen e koalicionit, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se Mustafa vetëm e ka konfirmuar atë që e ka thënë më herët edhe opozita.

Ramadani merr si shembull tenderin e fundit për targat e veturave dhe vlerën prej 706 mijë eurosh mbi ofertën reale, duke e cilësuar atë si shumë të shtrenjtë dhe shembull, që, sipas tij, tregon se populli i Kosovës po vazhdon të plaçkitet nga qeveritarët.
Isa Mustafa e ka përsëritur qëndrimin që e ka AAK-ja për dy vjet me radhë.


“Isa Mustafa e ka përsëritur qëndrimin që e ka AAK-ja për dy vjet me radhë. Ato janë çështje të brendshme të LDK-së, por unë them se konstatimet e AAK-së për dy vjet janë se kjo qeverisje po i bën dëm shtetit të Kosovës dhe edhe ky rast i targave të veturave me 706 mijë euro më shumë sesa që është dashur, është shembull, tregues se sa dëm po i bën qytetarit të thjeshtë të Kosovës. Prandaj, deklaratat e Mustafës janë ato që i ka thënë AAK-ja për dy vjet”
, thekson Ramadani.

Ndërkohë, nënkryetari i LDD-së, Naser Rugova, thotë se kërkesat e Isa Mustafës hasin në veshë të shurdhër, pasi që kryetari i Prishtinës, sipas Rugovës, është një zë i vetmuar në LDK.

“Zoti Mustafa ka ngelur një zë i vetmuar, i cili po e përsërit dhe po e sheh se kjo keqqeverisje po e dëmton edhe atë si kryetar i kryeqytetit. Unë e kuptoj shqetësimin e Mustafës, por anija e këtij koalicioni duket se do të shkojë deri në fund, në limanin e tyre, që emërues të përbashkët e ka dështimin dhe falimentimin politik”,
shprehet Rugova.

Ndryshe, opozita ka vazhduar me kritika e akuza edhe në drejtim të diplomacisë dhe politikës së jashtme të Kosovës për faktin se pavarësisht mendimit pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, ende nuk është shënuar asnjë njohje e re.

Ky fakt, sipas opozitës, mund ta zbehë pozicionin e Kosovës tani në prag të sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG