Ndërlidhjet

Bentler: Ka potencial për dhunë në veri


Markus Bentler, komandant i KFOR-it

Markus Bentler, komandant i KFOR-it

“Në veri ekziston potenciali për dhunë, andaj veriu do të jetë pika e orvatjeve tona”, tha gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler. Ai foli edhe për ecurinë e transferimit të përgjegjësive për ruajtjen e monumenteve kulturore e fetare serbe te Policia e Kosovës.


Ndonëse situata e sigurisë në veri të Kosovës aktualisht është e qetë dhe e qëndrueshme, veriu vazhdon të përbëjë një kërcënim për situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, vlerësuan përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë.

Komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, tha se në pjesën veriore dhe atë jugore të Mitrovicës ekziston potenciali për dhunë dhe se vazhdon të ketë konflikte e përplasje të interesave në mesin e banorëve shqiptarë e serbë, si pasojë e koncepteve të ndryshme politike për Kosovën.

“Mendoj se ekziston. Mund t’i shikoni statistikat e incidenteve të dhunshme ku janë përdorur armët në maj, qershor dhe korrik, por ka pasur edhe më parë. Pra, nëse shikohen këto statistika mund të gjeni se me çfarë ndërlidhen. Është e qartë se ndërlidhen me çështjen e pazgjidhur dhe kjo i shtyn disa njerëz të shprehin dallimet në mes vete me masa të dhunshme”
, theksoi Bentler.

Gjenerali Bentler u bëri thirrje të gjithë banorëve në veri që t'i përcjellin zhvillimet politike, por duke u përmbajtur nga përdorimi i, siç tha ai, koktejit të molotovit, granatave të dorës dhe gjërave të tjera, me të cilat, sipas tij, nuk mund të përmirësohet gjendja.

Lëvizjet e trupave të KFOR-it, 10 mijë sa aktualisht janë në Kosovë, thuhet se do ta kenë prioritet pjesën veriore të Kosovës.

Bentler tha se KFOR-i po mbikëqyr situatën edhe tani, në prag të mbledhjes së radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara - mbledhje kjo në të cilën pritet të diskutohet shtetësia e Kosovës edhe pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Mitrovica

“Pika e orvatjeve më të mëdha do të duhej të ishte veriu dhe do të jetë veriu. Në të ardhmen, sipas konceptit tonë të fleksibilitetit, mobilitetit dhe shkathtësisë, ne jemi të interesuar të jemi të pranishëm në atë zonë, ndoshta në llogari të zonave më të qeta. Natyrisht se jemi të gatshëm të zhvendosemi sipas nevojës, por është e parashikueshme që do të sfidohemi kryesisht në veri”,
u shpreh gjenerali gjerman.

Bentler theksoi se rezoluta 12 44 vazhdon të mbetet korniza vepruese e misionit të NATO-s në Kosovë. Duke folur për zhvillimet politike, por edhe informatat që qarkullonin në media, kohë më parë, e që flisnin për mundësinë e shpalljes së pavarësisë së veriut nga banorët serbë, Bentler tha:

“Për neve, secila nga këto deklarata është irrelevante, sepse mendojmë se bazuar në kornizën ligjore të 12 44-shit, Kosova është një hapësirë e vetme apo sido që të quhet dhe nuk duhet të ndahet”
.

Gjatë takimit të tij me një grup gazetarësh kosovarë, komandanti i KFOR-it foli edhe për procesin e bartjes së përgjegjësive për mbrojtjen e monumenteve kulturore e fetare serbe te Policia e Kosovës.

Deri më tani, Policia e Kosovës ka marrë përgjegjësinë nga KFOR-i për ta ruajtur Monumentin e Gazimestanit dhe Manastirin e Graçanicës. Varësisht situatës së sigurisë, ky proces pritet të ndodhë, ndonëse ende pa një afat të caktuar kohor, edhe në manastirin e Budisavcit, atë të Goriocit dhe Zoçishtes.

Bentler tha se qëllim i fundit i KFOR-it do të jetë dhe kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës lidhur me ruajtjen e të gjitha manastireve në Kosovë, por se për katër nga këto, për momentin, nuk ekziston ndonjë vendim i NATO-s.

“Natyrisht, nuk është sekret që ky do të jetë qëllimi i fundit, por gjithmonë kemi thënë se do ta bëjmë në mënyrë transparente, të hapur, graduale dhe të përgjegjshme".

"Pra, për katër të tjerat: Patrikanën e Pejës, Manastirin e Deçanit, atë të Deviçit dhe Kryeengjëjve nuk e kemi ndjerë qetësinë apo rehatinë për ta bërë, sepse mendojmë se duhet të bëhet më shumë punë, duhet të ketë më shumë formësim, më shumë punë me komunitetet përkatëse dhe të tjera
”, përfundoi Bentler.
XS
SM
MD
LG