Ndërlidhjet

Patrullime në këmbë në Graçanicë


Manastiri i Graçanicës
Manastiri i Graçanicës

Ndryshe nga trupat e KFOR-it, Policia e Kosovës nuk është vendosur afër Manastirit të Graçanicës, por po kryen patrullime në këmbë.


Paralajmëruar javë më parë, siguria për Manastirin e Graçanicës, një ndër monumentet më të vjetra kulturore e religjioze në Kosovë, ka kaluar nga KFOR-i te Policia e Kosovës. Por, në manastir dhe përreth tij, aktualisht nuk vërehen të jenë vendosur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Vetë objekti i manastirit vazhdon të jetë i rrethuar me tela gjemborë. Dyert e manastirit janë të hapura për të gjithë, ashtu që qytetarët mund të hyjnë lirisht në oborrin e manastirit, apo edhe vetë brenda objektit.

Branislav Trajkoviq, komandant i Policisë në Graçanicë, thotë për Radion Evropa e Lirë se policia po kryen vetëm patrullime në këmbë përreth manastirit.

“Nga marrja e sigurisë, ne po e ruajmë manastirin 24 orë në ditë. Aktualisht po bëjmë patrullime në këmbë 24 orë në ditë përreth manastirit”
, thotë Trajkoviq.

Trupat e KFOR-it zakonisht kanë qenë të vendosur në një postbllok në afërsi të manastirit.

Shumica e vizitorëve në Manastirin e Graçanicës nuk duan ta komentojnë vendimin e NATO-s, që sigurimi i manastirit të bëhet nga ana e Policisë së Kosovës.

Ata pak njerëz, që janë të gatshëm të flasin, thonë se nuk është mirë që askush nuk po e ruan manastirin. Një nga ta është Dragutin Gimiq, 86-vjeçari që në këtë manastir punon që nga fëmijëria.

“Unë kam punuar si fëmijë, babai më ka punuar këtu, djali më punon, e edhe nipi. Nuk kemi kërkuar kurrë asgjë, ndërsa gjithmonë kemi dhënë. Duhet të ruhet, e tani po ruhet dobët. Duhet të ruhet”
, shprehet Gimiq.

Kisha Ortodokse Serbe nuk është pajtuar me vendimin e NATO-s që t’i kalojë përgjegjësitë nga KFOR-i te Policia e Kosovës për ruajtjen e Manastirit të Graçanicës, që Kisha e vlerëson si një ndër monumentet më të rëndësishme në Kosovë.

Por, ajo që ndodh mes politikës, Kishës e autoriteteve të sigurisë duket se nuk reflektohet në oborrin e manastirit, që vazhdon të ketë jo vetëm vizitorë serbë, por edhe të huaj.

“Është shumë e bukur dhe e vjetër. Unë vij nga Praga ku shohim shumë ndërtesa të vjetra, por kjo është shumë e vjetër dhe më pëlqen“
, thotë turisti nga Çekia, Peter Vins.

Liljana Petroviq, nga një fshat i Gjilanit, ka ardhur në Graçanicë për një kontroll mjekësor. Por, ajo shfrytëzon këtë vizitë edhe për të qëndruar në Manastirin e vjetër të Graçanicës.

Asaj nuk duket se i pengon se kush do ta ruajë manastirin. Në mendje ka mirëqenien e saj dhe hallet e jetës së përditshme. E ardhur kohë më parë nga Serbia, ku kishte jetuar si e zhvendosur, Petroviq, thotë se është më shumë e kënaqur me ndihmat e dhëna nga Republika e Kosovës, sesa nga Serbia.

“Më ka ndihmuar UNMIK-u, Republika e Kosovës, nga Serbia s’kam marrë asgjë. Ata ndoshta japin ndihmë, por ajo nuk shkon në duar të duhura. Kam marrë kredi dhe tash nuk e di se si do ta kthej. Vijmë në Graçanicë me autobusë të UNMIK-ut pa para”
, tregon Petroviq.

Ditë më parë, klerikët e lartë serbë kanë thënë se kalimi i përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës për ruajtjen e Manastirit të Graçanicës është i parakohshëm.

Por, vetë KFOR-i ka bërë të ditur se vendimi i tyre “tregon përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë dhe besimin që KFOR-i ka në kapacitetet e Policisë së Kosovës për të kryer detyra të rëndësishme”.
XS
SM
MD
LG