Ndërlidhjet

“Online 24 orë” me Kuintin


Një aktivitet 24 orësh diplomatik po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe vendeve të kuintit, për ta bllokuar miratimin e rezolutës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha sot ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Para sesionit të radhës në Nju-Jork, liderët kosovarë presin shtimin e njohjeve, të paralajmëruara për pjesën e parë të muajit shtator.


Fillimi i shtatorit mund t’i sjellë Kosovës disa njohje të reja, thonë përfaqësuesit politikë në Prishtinë. Sipas tyre, shtimi i njohjeve është premtuar nga vende të ndryshme.

Kurse, një prej efekteve të para të këtyre njohjeve, besohet se do të ishte fuqizimi i pozicionit të Kosovës në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që fillon nga mesi i shtatorit.

Kryeministri Hashim Thaçi përsëriti qëndrimin e tij se nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pret rikonfirmimin e mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Kosovës së pavarur.

Hashim Thaçi

“Pas suksesit historik me prezantimin e mendimit pozitiv të GJND-së, do të kemi angazhime tjera shtesë, angazhime këto që kemi besim të plotë se do të rezultojnë me sukses të ri për Republikën e Kosovës, një sukses ky meritor”
, tha Thaçi.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se është në kontakte, siç u shpreh ai, “24-orëshe me vendet e Kuintit” me qëllim të koordinimit para sesionit të radhës në Nju-Jork.


Hyseni theksoi se Serbia po përpiqet që ta kundërshtojë mendimin e GJND-së duke synuar që me rezolutë të kërkojë nga Asambleja e Përgjithshme thirrjen për negociata të reja.

Kërkesa për negociata të reja është kërcënim për gjithë Ballkanin, tha Hyseni, duke shprehur bindjen se rezoluta serbe ka gjasa që të mos procedohet fare në rendin e ditës.

Skënder Hyseni

Veprimet dhe koordinimet mund të them me siguri të plotë se kanë filluar të japin frytet e para dhe ne kemi zotime nga dhjetëra vende anëtare të OKB-së që rezoluta serbe do të kundërshtohet”.

“Do të kundërshtohet pjesërisht, po ashtu, edhe si një kundërshtim, sepse në thelb draft-rezoluta serbe i bën një kritikë të papranueshme organit më të lartë të drejtësisë në botë, GJND-së”
, theksoi Hyseni.


Njohjet e reja, të paralajmëruara për fillimin e shtatorit, shihen si një prej sukseseve para sesionit të radhës së Asamblesë së Përgjithshme.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e partisë opozitare, Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se këto njohje do ta siguronin Kosovën nga rreziku i kalimit eventual të rezolutës së Serbisë.

“Sigurisht që efekti i njohjeve është i drejtpërdrejtë në shqyrtimin e rastit të draft-rezolutës serbe. Kosova do të ishte në një pozicion shumë të mirë, po qe se para se të shqyrtohet projekt-rezoluta serbe, të kishim ndryshim të raportit numerik të vendeve që e kanë njohur Kosovën në raport me ato që nuk e kanë njohur, sepse apriori do të zvogëloheshin gjasat që të kalojë rezoluta serbe”
, u shpreh Gashi.

Deputeti Ibrahim Gashi nënvizoi se fakti që Kosova nuk është njohur nga asnjë vend që nga shpallja e mendimit të GJND-së, është shqetësues.

Por, u shpreh optimist se rezoluta serbe nuk do të kalojë, marrë parasysh favoret që i ka sjellë Kosovës mendimi pozitiv i GJND-së. Sidoqoftë, Gashi tha se shpresat për një epilog pozitiv në Nju-Jork mbështeten në diplomacitë e vendeve perëndimore, pasi që, sipas tij, nuk po shihet ndonjë aktivitet nga ana e diplomacisë së Kosovës.

Ibrahim Gashi

“Unë them se ka një mobilizim të vendeve të fuqishme të BE-së, të SHBA-së që përmes diplomacisë t’i japin rëndësi të madhe mendimit të GJND-së dhe në njëfarë mënyre të materializohet, fuqizohet ai mendim në Asamblenë e Përgjithshme, e që do t’i hidhte poshtë pastaj të gjitha idetë për rezoluta e negociata për statusin”
, deklaroi Gashi.


Para dhe gjatë kohës së mbajtjes së sesionit të radhës në Asamblenë e Përgjithshme, pritet që për në Nju-Jork të udhëtojnë presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.

Për faktin se Kosova nuk është anëtare e OKB-së, udhëheqësit kosovarë presin që të zhvillojnë takime me përfaqësues të vendeve të ndryshme në margjinat e sesionit.

Ndërkaq në Asamblenë e Përgjithshme, pozicioni i Kosovës dhe efektet e mendimit të GJND-së besohet se do të paraqiten dhe mbrohen nga vendet mike që e kanë mbështetur krijimin e shtetit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG