Ndërlidhjet

Përvjetori i 100-të i lindjes së Nënës Terezë, sot shënohet edhe në Kosovë. Përfaqësuesit e tri bashkësive më të mëdha fetare në Kosovë, e çmojnë lart personalitetin dhe figurën e Nënës Terezë, duke thënë se humanizmi dhe vepra e saj tejkalojnë kufijtë fetarë, etnikë dhe racorë. Ngjashëm e vlerësojnë edhe intelektualët në Kosovë, si dhe arbëreshët e Italisë.


“Puna e Pendimit. Zoti jem, po m’vjen keq me gjithë zemër për gjithë mkatet që kam ba, se kam bjerrë parrisin, kam meritue ferrin, por ma fort se t’kam fye Ty, O e mira e pambarueme që kaq fort m’ke dashtë, mëshiro Zot, m’fal Zot, po t’nap fjalën me ndihmë Tane, mos me t’fye ma kurrë”.

Kjo është urata “Puna e pendimit”, të cilën rreth 22 vjet më parë, me një rast e kishte thënë në gjuhën shqipe Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në botë si Nëna Terezë.

Ashtu sikurse në gjithë botën, sot në Kosovë shënohet 100-vjetori i lindjes së kësaj figure me përmasa globale.

Njerëzit në Kosovë, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare, e kujtojnë dhe çmojnë Nënën Terezë si një figurë të veçantë dhe sinonim të humanizmit, sakrificës, bamirësisë dhe solidaritetit, vlerësojnë përfaqësuesit e tri bashkësive fetare më të mëdha në Kosovë.

Famullitari aktual i kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, Dom Nikson Shabani, i cili është përgjegjës i Qendrës për Kateumen në Prishtinë, vlerëson se Nëna Terezë është një nga shenjtëreshat më të mëdha të Kishës Katolike, veprat e së cilës, siç thotë ai, sa më shumë që studiohen, aq më shumë tregojnë pasurinë shpirtërore të pashtershme të saj.

Por, sipas tij, figura e Nënës Terezë nuk mund të kufizohet në suaza kombëtare dhe fetare.
Do të thotë, jeta e saj dhe veprat e saj kanë pushtuar gjithë zemrat e njerëzimit...


“Ajo është bërë një simbol, është bërë një person që e njeh gjithë bota. Do të thotë, jeta dhe veprat e saj kanë pushtuar gjithë zemrat e njerëzimit. Duket se nuk ka shtet ose njeri në botë që nuk e di se kush është Nëna Terezë. Prandaj, vetë ky fakt tregon se sa e madhe ka qenë dhe është figura e Nënës Terezë”.

“Ajo është një pasuri e pashtershme përshpirtërie, një pasuri e pashtershme gëzimi, paqeje, hareje, dashurie, e kështu me radhë. Do të thotë, ishte një personalitet që, në të vërtetë, nuk mundemi ta definojmë kurrë se sa ka qenë e madhe”,
thotë Dom Nikson Shabani.

Ndërkaq, reflektimin e figurës së Nënës Terezë përtej kufijve të besimit që i përkiste ajo, e vlerëson edhe Qemajl Morina, ushtrues i detyrës së prodekanit dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame, në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës.
...shikuar në prizmin islam, me punën dhe misionin që ka bërë Nëna Terezë, ajo u takon të gjitha feve, prandaj, edhe fesë islame...


“Nëna Terezë njihet në botë si një bamirëse universale, e cila e sakrifikoi jetën e saj, duke e kushtuar tërë jetën e saj në shërbim të Zotit, siç thotë ajo, të Krishtit dhe të njeriut, për të ndihmuar ata që kishin nevojë për ndihmën e saj”.

“Si e tillë, ajo ka kryer misionin e saj jo vetëm të krishterë si e krishtere, por edhe misionin e saj humanitar, të cilin e preferojnë të gjitha fetë. Prandaj, shikuar në prizmin islam, me punën dhe misionin që ka bërë Nëna Terezë, ajo u takon të gjitha feve, prandaj, edhe fesë islame”, vlerëson Qemajl Morina.

Vlerësime të ngjashme për figurën dhe veprën e Nënës Terezë jep edhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Atë Sava Janjiq, aktualisht kreu i Manastirit të Deçanit.

Janjiq thotë se Nëna Terezë është një nga personalitetet e veçanta që kanë shënuar shekullin XX. Humaniteti dhe veprat bamirëse të saj, thotë atë Janjiqi, kanë treguar se rruga e Zotit është rruga e paqes, dashurisë dhe faljes.
...sado qoftë ajo e rëndësishme (Nëna Terezë) edhe për popullin shqiptar, prej të cilit ka rrjedhur, ajo është pasuri e madhe për të gjithë botën dhe për të gjithë ne...


Nëna Terezë ka dhënë shembull trimërues dhe të dinjitetshëm të humanitetit dhe vetësakrificës, të cilin të gjithë ne jemi të obliguar që ta ndjekim. Sigurisht që personalitetet e mëdha, posaçërisht ato që kanë lënë gjurmë në histori me dashurinë, trimërinë dhe forcën morale të tyre, paraqesin personalitete që i tejkalojnë edhe popujt, të cilëve iu takojnë”.

“Kështu që, sado qoftë ajo e rëndësishme (Nëna Terezë) edhe për popullin shqiptar, prej të cilit ka rrjedhur, ajo është pasuri e madhe për të gjithë botën dhe për të gjithë ne”,
thotë ati Janjiq.

Ndërsa, me nismën e Ipeshkvisë së Kosovës dhe me miratimin e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, viti 2010 në Kosovë është shpallur si viti i Nënës Terezë.

Aktualisht në Prishtinë është duke u mbajtur Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare dhe një nga tryezat qendrore të këtij seminari ka trajtuar figurën e Nënës Terezë.

Liman Matoshi, drejtor i këtij seminari, thotë se autoritetet shtetërore, ato fetare dhe shkencore, e kanë vlerësuar lart figurën, siç e quajti ai, monumentale të Nënës Terezë.
ajo shihet si një misionare e paqes, dashurisë, bamirësisë, dhembshurisë, ndjeshmërisë së skajshme për nevojat e njerëzve të tjerë, pa marrë parasysh përkatësinë racore, fetare, etnike dhe kombëtare...


“Nëna Terezë nuk shihet vetëm në aspektin e ngushtë të besimit fetar. Por, ajo shihet si një misionare e paqes, dashurisë, bamirësisë, dhembshurisë, ndjeshmërisë së skajshme për nevojat e njerëzve të tjerë, pa marrë parasysh përkatësinë racore, fetare, etnike dhe kombëtare”.

“Shumica e njerëzve në Kosovë, kështu e shohin Nënën Terezë, si një bijë tonën që na ka nderuar me veprën e saj. Ajo është edhe nobelistja e parë shqiptare dhe nuk kanë se si të mos krenohen shqiptarët për këtë fakt
”, shprehet Liman Matoshi.

Në anën tjetër, fryma e humanitetit dhe sakrificës së Nënës Terezë ka domethënie të madhe edhe për arbëreshët në Itali, thotë prifti arbëresh Antonio Belushi.

Ai thekson se një numër shkollash dhe rrugësh në vendbanimet arbëreshe, bartin emrin e Nënës Terezë.
Tek ajo dritë e madhe që bënte Nëna Terezë, nën hijen e saj ishim të gjithë ne arbëreshët...


“Tek ajo dritë e madhe që bënte Nëna Terezë, nën hijen e saj ishim të gjithë ne arbëreshët. Këtë grua të lumtur, të shenjtë, me ndjenjat e saj humane, çdo njeri, qoftë i krishterë ose jo, dëshironte ta kishte te zemra e tij”.

“E, ajo është fytyra më e dashur nga e gjithë bota. Ishte epoka dhe ishte edhe koha, themi kështu, në të cilën ajo jetoi, që bëri që kjo grua të lartësohej kështu”,
pohon Antonio Belushi.

Ndryshe, Nëna Terezë vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Gjatë ditëve dhe muajve në vijim, në Kosovë priten një mori manifestimesh në shenjë nderimi të Nënës Terezë.

Përfaqësuesit e Kishës Katolike në Prishtinë, kanë paralajmëruar se më 5 shtator në Shenjtëroren dhe Katedralen e re të Prishtinës, të quajtur “Nëna Terezë”, do të mbahet mesha, e cila do të shënojë, siç thuhet, ditën lindjes së Nënës Terezë për qiell.

Ndërkohë, të enjten në Mitrovicë, ura mbi lumin Ibër, e cila lidh anën jugore dhe atë veriore të këtij qyteti, do të emërtohet si “Ura e Paqes-Nënë Tereza”, në shenjë kujtese për këtë humaniste, e cila gjate gjithë jetës së saj ishte lutur për dashuri dhe paqe.

“Unë jam tue u lutë për ju. Zoti kjoftë me ju”. (Nëna Terezë).

* * *
Kujtimet për prejardhjen


Shkupi, qyteti i lindjes së Nënë Terezës me një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike shënoi 100-vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza.

Shëmbëlltyra e humanistes, e cila me veprat e saj theu të gjitha barrierat nacionale dhe ato fetare, mbetet pikësynim për të gjithë ne, u tha në seancën përkujtimore të Kuvendit të Maqedonisë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza.

“Mbrëmë dhe sot janë organizuar një varg aktivitetesh nga institucioni ynë. Ky vit është vit jubilar dhe ne e kemi pagëzuar në manifestimet tona si vit i Nënës Terezë”, bëri të ditur nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Rafiz Haliti.

Gjatë paradites u bë shpalosja e pllakës së maternitetit në Shkup, që u pagëzua me emrin “Nëna Tereza”.

Njëqind piktura që paraqesin portretin e Nënës Terezë në 100 momente të reflektimit të bamirësisë së saj, është titulluar ekspozita e piktorit tetovar Miftar Memeti, i cili tha se për këtë projekt asnjëherë nuk i ka munguar vullneti për punë.

Forca krijuese, shtoi Memeti, ka buruar gjithnjë e me fuqishëm nga çdo vijë e hedhur në pëlhurë që personifikon fytyrën e Nënës së Njerëzimit.

“Është një teknikë e kombinuar në akril, pastaj pikturë në vaj, një teknikë përmes së cilës jam përpjekur të paraqes fytyrën e Nënës Terezë, fytyrën e një nëne, e cila çdo herë është në aksion edhe atëherë kur është e lodhur - kartoni këtë ma mundësoi”, u shpreh piktori Miftar Memeti.

Mirëpo, as jubileu i 100-vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nuk kaloi pa pretendimet e njohura të maqedonasve për të kontestuar prejardhjen shqiptare të humanistes së madhe.

Kjo ndodhi dhe gjatë botimit të një broshure me fotografi të Nënës Terezë nga fotografi kroat, Zvonimir Atletiq, botuar vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, por jo edhe në gjuhën shqipe.

“Jemi përcaktuar për versionin dygjuhësor, sepse edhe vizitorët e huaj që vijnë këtu, kryesisht flasin maqedonisht dhe gjuhën angleze”
, tha Renata Kutera Zdravevska, drejtoreshë e Shtëpisë Memoriale të Nënës Terezë në Shkup.

Edhe kryetari i Asociacionit “Nëna Terezë”, Stojan Trençevski, gjatë manifestimit të jubileut të nobelistes Gonxhe Bojaxhiu, flaku identitetin e saj kombëtar:

“Si shkupjane e njohur në tërë botën, ajo i takon tërë njerëzimit, andaj dhe ne duhet ta ndjejmë si të tillë, pa pasur ekskluzivitetin e një kombi. Mendoj se të gjitha bashkësitë etnike të rajonit e ndjejnë këtë kur bëhet fjalë për Nënën Terezë”.


Ndërkaq, fotografi kroat, Zvonimir Atletiq, i cili e ka njohur për së afërmi humanisten e madhe shqiptare, gjatë ekspozitës së tij ku paraqet 44 momente dashurisë së pashterur të Nënës Terezë ndaj skamnorëve, ndër të tjera theksoi përkushtimin e Nënës Terezë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.

“Ajo gjithmonë ka ruajtur kujtime për vendin nga e ka pasur prejardhjen dhe është krenuar që është shqiptare. Gjithmonë e ka theksuar faktin se është shqiptare. Gjithmonë është lutur për Shqipërinë dhe shqiptarët, posaçërisht në kohën kur Shqipëria ishte nën regjimin komunist”
, theksoi fotografi kroat Zvonimir Atletiq.

Ndryshe, në mbrëmje do të bëhet promovimi i këngës dhe video-spotit “Një shekull dashuri”, e kënduar nga emra të njohur të estradës shqiptare.



  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG