Ndërlidhjet

Gjeliq: S’ka mundësi që Serbia të mbetet pa BE dhe pa Kosovë


Zëvendës kryeministri i Serbisë, Bozhidar Gjeliq, vlerësoi se nuk po shqyrtohet opsioni, sipas të cilit, tërheqja e propozim rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do t’i shpejtonte integrimet evropiane.

“Nuk ekziston shkop magjik, që në këtë moment do t’i hapte tërësisht dyert evropiane, pasi pengesë në këtë rrugë nuk është vetëm zgjidhja e çështjes së Kosovës”, tha Bozhidar Gjeliq, duke e refuzuar mundësinë që Serbia të arrijë në situatë, që të “mbetet edhe pa Evropën, edhe pa Kosovën”.

Në këtë aspekt, ai mëtutje i tha së përditshmes beogradase Veçernje Novosti, se “brenda BE-së nuk ekziston konsenzus për Kosovën”, prandaj Brukseli nuk mund ta vë Serbinë para alternativës “ose Kosova ose BE-ja”.

Megjithatë ai ka theksuar se “për të gjithë është e qartë se duhet të zgjidhet çështja e Kosovës, në mënyrë që i gjithë rajoni pa pengesa të hyjë në Evropë”.

Ai i ka hedhur poshtë spekulimet se në qeverinë e Serbisë ka konflikte të partnerëve të koalicionit, lidhur me politikën për Kosovën dhe ka theksuar se qeveria ka pajtueshmëri.
XS
SM
MD
LG