Ndërlidhjet

SHBA: Shqetësim i thellë për dhunimet masive në Kongo


Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim të thellë për raportet se dhunimet masive janë shfrytëzuar si armë në luftën në Republikën Demokratike të Kongos.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, tha se Uashingtoni do të punojë me qeverinë lokale dhe me Kombet e Bashkuara, për sjelljen e fajtorëve para drejtësisë.

Zonja Klinton i ka cituar akuzat se dhunimet masive ishin kryer nga të ashtuquajturat “Forcat Demokratike për Çlirimin e Ruandës” dhe nga elementet e grupeve militante Mai Mai në pjesën lindore të Kongos.

Kombet e Bashkuara aktualisht kanë raportuar se së paku 154 civilë të Kongos janë dhunuar dhe sulmuar gjatë një operacioni nga kryengritësit Hutu të Ruandës, në 13 fshatra në provincën Kivu Verior, ndërmjet 30 korrikut dhe 2 gushtit.

Zyrtarë të tjerë të OKB-së thonë se numri i viktimave të dhunimit në javët e fundit ishte 179.

I dërguari i OKB-së në Kongo ka thënë se patrullat e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në atë hapësirë nuk ishin informuar nga fshatarët se kishin ndodhur dhunimet.

Tash OKB-ja po punon për përmirësimin e komunikimeve me fshatarët për t’i parandaluar dhunimet e ardhshme eventuale.
XS
SM
MD
LG