Ndërlidhjet

logo-print

Mendimin e GJND-së nuk e zbehin rezolutat


Asambleja e Përgjithshme

Asambleja e Përgjithshme


Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të duhej të respektonte mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin e ka kërkuar vetë ky organ me nismën e Serbisë, ka thënë të enjten në Prishtinë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Ai ka theksuar po ashtu se askush nuk ka nevojë të shqetësohet për projekt-rezolutën serbe të paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme, pasi që shpallja e pavarësisë së Kosovës është vlerësuar në harmoni me të drejtën ndërkombëtare nga GJND-ja.

Mendimi i GJND-së, ka nënvizuar Krasniqi, është më i fuqishëm sesa çdo projekt-rezolutë e Serbisë.
Jakup Krasniqi


“Mendimi i GJND-së ka qenë shumë i qartë dhe preciz dhe ndoshta në një masë edhe e ka hequr edhe atë sintagmën ‘sui generis’, duke thënë se shpallja e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës është konform të drejtës ndërkombëtare dhe mendoj se kjo ka qenë një fitore e madhe, e cila nuk mund të zbehet me rezoluta që mund t’i propozojë në këtë rast Serbia”
, ka deklaruar Krasniqi.

Duke iu referuar sesionit të radhës të Asamblesë së Përgjithshme, kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se ky organ ka për obligim ta njohë dhe pranojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Jam i bindur që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka për obligim ta pranojë dhe njohë mendimin e GJND-së të dhënë për rastin e Kosovës dhe vërtet pres që nëse del ndonjë rezolutë, ajo të jetë në shërbim dhe interes të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërkohë, analisti Ylli Hoxha, drejtor Ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, ka thënë se Kosova ka dështuar në një masë të madhe që ta shfrytëzojë fitoren në GJND për ta shndërruar atë në njohje të reja.

Kurse, nisma e Serbisë për rezolutën në Asamblenë e Përgjithshme, sipas tij, i ka hutuar tash sërish shumë vende duke i bërë ato që të presin edhe Asamblenë e Përgjithshme para se ta njohin Kosovën.

Për dallim nga përfaqësuesit e institucioneve, Ylli Hoxha nuk ka shprehur dyshime në përgatitjet e Kosovës për fazën e pas GJND-së.
Ndoshta ai është përgatitur për skenar të dëmshëm, por nuk është përgatitur për një skenar pozitiv çfarë ishte skenari pas GJND-së.


“Kemi dëgjuar ministrin Hyseni të na thotë se jemi duke u përgatitur për secilin skenar pas vendimit të GJND-së. Ndoshta ai është përgatitur për skenar të dëmshëm, por nuk është përgatitur për një skenar pozitiv çfarë ishte skenari pas GJND-së”.

“Kjo është evidente, nuk e kemi asnjë njohje një muaj e sa ditë pas GJND-së. Do të duhej t’i kishim në ditën e mendimit të GJND-së disa njohje, të cilat do të krijonin momentum të ri politik që do të shfrytëzohej edhe nga vendet tjera për ta ndërruar qëndrimin karshi njohjes së Kosovës”,
është shprehur Hoxha.

Komplikimet para sesionit të radhës të Asamblesë së Përgjithshme pavarësisht mendimit pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës, nga analistët janë vlerësuar se vijnë pikërisht si rrjedhojë e mungesës së njohjeve të reja.

Po të shtohej numri i njohjeve, sipas analistëve, Serbia do ta kishte shumë vështirë të siguronte vota të mjaftueshme për miratimin e rezolutës së saj, me të cilën kërkon sërish negociata të reja për statusin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG