Ndërlidhjet

Pak sqarime për lirimin e amerikanit

  • RFE /RL

Xhimi Karter u largua nga Pijongiangu së bashku me të burgosurin amerikan, Aijalon Mahli Gomes.

Xhimi Karter u largua nga Pijongiangu së bashku me të burgosurin amerikan, Aijalon Mahli Gomes.


Koreja e Veriut është një nga shoqëritë më të mbyllura të botës, ndërsa udhëhiqet nga një qeveri, veprimet e së cilës është vështirë të parashikohen.

Për këtë arsye, kur ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Xhimi Karter, shkoi personalisht në Pijongiang që të kërkojë lirimin e një amerikani të burgosur pasi kishte kaluar ilegalisht në Kore të Veriut, suksesin nuk e kishte të sigurt.

Megjithatë, të premten herët në mëngjes, me pak sqarime të bëra publike, Xhimi Karter u largua nga Pijongiangu së bashku me të burgosurin amerikan, Aijalon Mahli Gomes.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut dha lajmin duke thënë se masa e ndërmarrë nga Koreja e Veriut për lirimin e kaluesit ilegal të kufirit është “manifestim i humanizmit të saj dhe politikës paqedashëse.”

Organizata e ish-presidentit Karter, “Carter Center” në Atlanta lëshoi një komunikatë që gjithashtu dha pak sqarime për rastin.

“Carter Center” thotë se “me kërkesën e bërë nga ish-presidenti Karter dhe për arsye humanitare, zotëri Gomesit i është siguruar amnisti” nga lideri koreano - verior.

Gomes është një aktivist amerikan, 30-vjeçar, i cili hyri ilegalisht në Korenë komuniste nga Koreja e Jugut. Në këtë të fundit, Gomes punonte si mësues i anglishtes. Ai së fundi ka qenë aktiv nëpër protesta kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut.

Protesta të tilla zakonisht fokusohen në dënimin e disidentëve me vjet të tëra punë të detyrueshme nëpër kampe të burgjeve. Të njëjtat bëhen edhe për shkak se Koreja komuniste zakonisht shpenzon shumë në ushtrinë e saj derisa popullata e vendit vuan urie.


Me vjet të tëra, Koreja e Veriut ka marrë ushqime si formë ndihme nga Organizata e Kombeve të Bashkuara ër shkak të pamundësisë që ta ushqejë vetën.

Aktivisti amerikan ishte dënuar me 8 vjet punë të rëndë dhe një gjobë prej 600 mijë dollarësh për kalim ilegal të kufirit.

Agjencia shtetërore e lajmeve koreane në muajin korrik kishte raportuar se Gomes ka provuar të bëjë vetëvrasje dhe tani po trajtohet në spital.

Serioziteti i dënimit të Gomesit ishte kritikuar ashpër nga qeveria amerikane duke u bërë kështu edhe një pikë e rëndë në marrëdhëniet gjithmonë të vështira në mes të dyja vendeve.

Departamenti amerikan i Shtetit, ndonëse e përshëndet lirimin e Gomesit, sqaron se nuk ka luajtur kurrfarë roli në këtë çështje.

Udhëtimi i Karterit në Kore të Veriut është i dyti për një ish-president amerikan, pasi Bill Klintoni vitin e kaluar në të njëjtin vend siguroi lirimin e dy gazetareve amerikane.

Ndonëse nuk sqarohet në detaje pse u lirua aktivisti amerikan, shenjat janë që Koreja komuniste dëshiron të shfaqë gatishmërinë për bisedime të reja me amerikanët për çështjet të ndryshme që rëndojnë marrëdhëniet e dy shteteve.

Një nga temat e të ashtuquajturave “bisedimet 6 palëshe” kanë si temë edhe çështjen e armëve nukleare të Koresë së Veriut. Të enjten edhe Uashingtoni zyrtar dha sinjale që është i gatshëm t’iu kthehet bisedimeve me Pijongiangun. (a.h.)
XS
SM
MD
LG