Ndërlidhjet

Kili: Minatorët po luftojnë me depresionin


Fotografitë e 33 minatorëve të bllokuar në minierën San Esteban
Fotografitë e 33 minatorëve të bllokuar në minierën San Esteban
Kili po përgatitet të fillojë operacionet për shpëtimin e 33 minatorëve që gjenden që prej tre javësh të bllokuar në thellësitë e një miniere ari e argjendi.

Specialistët do të nisin hapjen e tunelit që do të mundësojë daljen e minatorëve që gjenden në 700 metra thellësi. Autoritetet llogarisin se operacioni do të zgjasë deri në katër muaj.

Minatorët duken në humor të mirë në një video që ata e kanë xhiruar vetë dhe që është transmetuar gjatë ditëve të fundit në televizionin kilian.

Ministri i Shëndetësisë së Kilit, duke folur me familjarët e minatorëve, tha se pesë prej tyre po tregonin shenja depresioni.

“Ata janë më të izoluarit, nuk duan të dalin në ekran, nuk po ushqehen mirë, ndaj do të jemi të detyruar të veprojmë ndryshe me ta. Do të thosha se depresion është fjala e saktë për t’i karakterizuar problemet e tyre”
, tha Manalkih.

Ministri Manalkih shtoi se një grup psikiatrish do të përpiqen t’i trajtojnë minatorët përmes një sistemi komunikimi që tashmë iu është dërguar nën tokë.

Manalih tha se të gjithë minatorët që i mbijetuan shpërthimit të 5 gushtit, kanë jetuar me sasi të vogla të konservave të peshkut, qumësht dhe biskota. Ata kanë humbur shumë në peshë dhe po e marrin veten nga dehidratimi.
Minatorët furnizohen me ushqime përmes një gypi...


Pavarësisht situatës së vështirë, në të cilën gjenden minatorët, në videon e dërguar, duken në humor të mirë dhe relativisht të shëndetshëm. Në video minatorët këndonin himnin kombëtar dhe thërrisnin “Rroftë Kili”.

Një nga minatorët tregon në kamera mënyrën e organizimit të tyre, vendet ku flenë, ku luajnë domino dhe ku luten.

Presidenti kilian, Sebastian Pinera, tha se Qeveria do të bëjë maksimumin për t’ua lehtësuar minatorëve këtë periudhë të rëndë pritjeje.

“Ia kam besuar ministrit të Shëndetësisë drejtimin e operacionit Shën Lorenco. Ky i fundit është mbrojtësi i minatorëve. Operacioni ka për qëllim t’i mbajë në jetë dhe në një nivel të mirë fizik e psikologjik gjatë muajve që duhen për të organizuar nxjerrjen e tyre mbi tokë.Ata do të furnizohen me ujë, oksigjen, ushqime, medikamente dhe pajisje mjekësore për çdo situatë emergjence që mund të paraqitet”
, tha presidenti kilian.

Zyrtarët kanë premtuar vendosjen e një linje të përhershme telefonike me minatorët, në mënyrë që ata të flasin me familjarët e tyre.

Minatorët që kanë kërkuar cigare, janë pajisur me çamçakëz që ndihmojnë për të përballuar mungesën e nikotinës. Lletra të familjarëve iu janë dërguar minatorëve në mënyrë që të ruhet stabiliteit i tyre mendor e emocional.

Qeveria kiliane ka kërkuar dhe ndihmën e NASA-s, Agjencisë Amerikane të Hapësirës.

“Kilianët janë të organizuar shumë mirë. Kanë shumë burime në dispozicion dhe kanë bërë shumë për minatorët. I vërtetë është dhe fakti se minatorët kanë bërë shumë për vetveten duke treguar vullnet për të mbijetuar kaq gjatë. Ne do të vemi në vendngjarje dhe do t’u ofrojmë kilianëve ndihmën që e kanë kërkuar lidhur me mënyrën e ushqimit dhe mbështetjen emocionale”
, tha dr. Majkëll Dunkan, zëvendësdrejtor i Departamentit Mjekësor në NASA.

Familjarët e minatorëve kanë nisur një betejë tjetër, atë me pronarët e minierës së San Hozesë. Të afërmit e minatorëve i akuzojnë pronarët për kushte të dobëta sigurie.

Gjykata vendore ka ngrirë 2 milionë dollarë pronë të minierës në rast se duhen për t’u paguar dëmshpërblim familjeve të minatorëve.(i.b)
XS
SM
MD
LG