Ndërlidhjet

Gratë paguhen më pak se burrat


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pavarësisht progresit të dukshëm në luftën kundër diskriminimit në punë, rritja e pabarazisë në të ardhura dhe format domethënëse dhe të qëndrueshme të diskriminimit në vendin e punës, po shkaktojnë një shqetësim në rritje në Kosovë.

Një femër nga Prishtina në kushte anonimiteti thotë se në Kosovë femrat janë të paguara më pak, krahasuar me meshkujt. Ajo tregon se për punën e njëjtë paguhet më pak sesa kolegu i saj.
Unë punoj me një koleg, i cili është mashkull dhe për punën e njëjtë, ai paguhet më shumë sesa unë.


“Punoj në një kompani private tani tre vjet. Mendoj se ka diskriminim në paga dhe lloje tjera të diskriminimit. Unë punoj me një koleg, i cili është mashkull dhe për punën e njëjtë, ai paguhet më shumë sesa unë”
, shprehet ajo.

Se në Kosovë ekziston diskriminimi në paga, tregojnë edhe hulumtimet e disa organizatave joqeveritare në Kosovë. Përfaqësuesit e tyre tregojnë se diskriminimi në paga është vetëm një nga shumë llojet e ndryshme të diskriminimeve që bëhen në Kosovë.

Luljeta Demolli nga Qendra për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë se kanë bërë hulumtime të ndryshme sa i përket diskriminimit në Kosovë dhe diskriminimi më i madh, tregon ajo, iu bëhet grave në vendet e punës.
Nga aspekti ligjor, diskriminim nuk ka sa i përket pagave dhe punësimit të grave...


“Nga aspekti ligjor, diskriminim nuk ka sa i përket pagave dhe punësimit të grave, por rroga mesatare e grave në Kosovë sillet rreth 200 euro. Gratë kryesisht janë të punësuar në pozita të ulëta vendimmarrës ose janë shërbyese civile, që punojnë në arsim dhe shëndetësi dhe kjo bën që për shkak të pozitës në vendin e punës, të kenë paga më të ulëta”
, thotë Demolli.

Edhe Shukrije Rexhepi, udhëheqëse e Rrjetit të Grave Sindikaliste të Kosovës, tregon se në Kosovë ka forma të ndryshme të diskriminimit.
...diskriminimi qëndron në atë se janë të pakta rastet kur gratë janë në pozita udhëheqëse, në pozita vendimmarrëse, ose në ato vende ku paguhen më tepër...


“Sipas ligjit aktual që akoma të jetë në fuqi ligji UNMIK-ut i vitit 2001 për vendin e njëjtë të punës, paga është e njëjtë si për meshkuj, si për femra. Por, diskriminimi qëndron në atë se janë të pakta rastet kur gratë janë në pozita udhëheqëse, në pozita vendimmarrëse, ose në ato vende ku paguhen më tepër. Këtu ekziston diskriminimi”
, thekson Rexhepi.

Problemi i diskriminimit në vendin e punës nuk është vetëm një dukuri, me të cilën preokupohen vetëm kosovarët. Për të shmangur diskriminimin e çfarëdoshëm gjatë kërkimit të punës, në Gjermani aktualisht po diskutohet një pilot-ligj, i cili parasheh që aplikimet për vendet e punës të bëhen në mënyrë anonime, pa të dhënat personale siç janë emri e mbiemri, mosha dhe gjinia e punëkërkuesit.

Ndërsa, në raportin e fundit të Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë, thuhet se Ligji kundër diskriminimit nuk zbatohet në mënyrë të mjaftueshme dhe efektive

E gjithë kjo, sipas raportit, ndodh për shkak të mungesës së njohurisë nga ana e opinionit në përgjithësi, për mundësitë që ofron ky ligj për mbrojtje nga diskriminimi, si dhe për mekanizmat mbrojtës të paraparë me këtë ligj.

Lidhur me këtë, Luljeta Demolli nga Qendra për Barazi Gjinore, kritikon Qeverinë e Kosovës për neglizhencën e treguar karshi moszbatimit të ligjit kundër diskriminimit

“Qeveria nuk ka vënë masa të mira afirmative që t’iu mundësohet grave që të jenë nëpër pozita vendimmarrëse dhe gjithashtu autoritetet kosovare nuk kanë përkrahur politika, të cilat i mbështesin gratë që të jenë në pozita vendimmarrëse dhe që ato të kenë qasje të barabartë me meshkujt sa i përket tregut të punës”,
shprehet Demolli.

Përfaqësueset e organizatave jo qeveritare mendojnë se duhet të vazhdohet me organizimin e fushatave, me qëllim të vetëdijesimit të opinionit publik për rëndësinë e Ligjit kundër diskriminimit dhe për mekanizmat përkatës që ofrojnë mbrojtje në rastet e pohuara për diskriminim.

Sidoqoftë, synimi parësor i Ligjit kundër diskriminimit është parandalimi dhe luftimi i diskriminimit, ngritja e shkallës së barazisë efektive dhe realizimi i parimit të trajtimit të barabartë të qytetarëve të Kosovës para ligjit.
XS
SM
MD
LG