Ndërlidhjet

logo-print

Pesë vjet nga uragani Katrina

  • RFE /RL

Në përpjekje për të shpëtuar nga vërshimet që shkaktoi uragani Katrina

Në përpjekje për të shpëtuar nga vërshimet që shkaktoi uragani Katrina


Në Shtetet e Bashkuara shënohet pesë vjetori i uraganit Katrina, i cili i goditi brigjet e Gjirit dhe shkatërroi qytetin Nju-Orleans, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.800 njerëzve, ndërsa mbi një milionë mbetën të pastrehë.

Më shumë se 80 për qind e Nju-Orleansit u mbulua me ujë, dhe rreth 70 për qind e ndërtesave u dëmtuan nga stuhia shkatërrimtare e 29 gushtit, 2005.

Pesë vitet e rindërtimit kanë shkuar ngadalë. Përveç kësaj, rajoni po përballet edhe me një katastrofë të dytë, derdhjen më të rëndë të naftës në det në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në brigjet e Luizianës ende po vazhdojnë operacionet e pastrimit të naftës që u derdh në Gjirin e Meksikës.

Aktualisht popullsia e Nju-Orleansit vlerësohet në afro 350 mijë, rreth 80 për qind sa kishte para uraganit Katrina. Në disa zona, shtëpitë kanë mbetur pa njerëz.

Të shtunën, qindra banorë lokalë mbajtën një ceremoni përkujtimore për uraganin Katrina. Në kishën e Shën Bernardit, afër Nju-Orleansit, ata lanë shënime dhe letra në një arkivol. Organizatorët e ngjarjes thanë se kjo mund t’i afrojë më shumë njerëzit që ende mundohen të këndellen nga tragjedia.

Gregori Ajmond, arqipeshkv i Nju-Orleansit, e nënvizoi natyrën e ceremonisë.

“Jam i sigurt që ju, ashtu si unë, keni qenë në shumë funerale, por më duhet të them se kjo është hera e parë që kur arkivoli u mbyll, u dëgjua duartrokitje. Kjo nuk ndodh shpesh, madje edhe kur dikush nuk është shumë popullor. Zakonisht nuk duartrokitet kur mbyllet arkivoli, por këtë herë kishte një duartrokitje të vërtetë”, thotë Ajmond.

Uaren Minter, një banor lokal, thotë se varrimi simbolik i ndihmon komunitetit të shërojë plagët.

“Sikur lëmë diçka pas vetes. Kurrë nuk do të mund të varrosni Katrinën, dhe gjithmonë do t’i keni kujtimet. Por kjo mbyllja e arkivolit ndihmon pak. Të gjithë kanë nga një histori, kurrë nuk do të thuhet e gjitha”, pohon Minter.

Katrina, njëri nga uraganet më shkatërrimtare në historinë e Shteteve të Bashkuara, shkaktoi dëme materiale në vlerë prej më shumë se 80 miliardë dollarë.

Uragani e vërshoi Nju-Orleansin, i cili ndodhet nën nivelin e detit, pasi dështuan digat mbrojtëse nga uraganet. (v.p.)
XS
SM
MD
LG