Ndërlidhjet

Të pagjeturit - plagë e hapur e luftës


Fotografitë e personave të pagjetur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës

Fotografitë e personave të pagjetur në rrethojën e Kuvendit të Kosovës

Në Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, familjarët kosovarë kërkojnë të bëhet presion mbi Serbinë për të zbuluar fatin e mbi 2 mijë personave që ende figurojnë si të pagjetur. Sensibilizimi i opinionit vetëm nga familjarët duket se nuk po ndihmon shumë në zgjidhjen e këtij problemi 11-vjeçar.


Për Nesrete Kumnovën nga Gjakova, plagët e luftës mbesin ende të hapura, ndërsa kërkon me ngulm që të zbulojë se ku gjenden eshtrat e birit të vetëm të vrarë në luftë.

Kumnova ka pak besim në institucionet vendëse, për të cilat thotë se janë të pafuqishme për të bërë presion mbi Beogradin, i cili, sipas saj, ende mban peng fatin e rreth 2 mijë të pagjeturve.

Ndërsa, për institucionet ndërkombëtare, Kumnova dyshon se janë të interesuara vërtet që ta zgjidhin këtë problem.
Nesrete Kumnova


“Ne, familjet nuk jemi të kënaqura me punën, me efektin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, pasi që kaluan 11 vjet dhe Kosovës i mungojnë edhe 1860 qytetarë të saj”.

“Si familjarë, u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare, që ta kushtëzojë Serbinë të tregojë se ku gjenden të dashurit tanë, pasi që të gjithë kanë adresë”,
thotë Kumnova.


Nesrete Kumnova së bashku me të motrën, Ferdeze Efendija, udhëheqë shoqatën “Thirrjet e nënave”. Edhe zonja Efendija ka humbur të birin në luftë, por ndryshe nga Kumnova, ajo ka gjetur eshtrat e tij në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.

Ferdeze Efendija thotë se nëse mbi Serbinë nuk mund të ushtrohet trysni nga Prishtina zyrtare, atëherë të paktën institucionet kosovare duhet të identifikojnë rreth 400 mbetje mortore që gjenden në morgun e Prishtinës.
Sido që të jetë fati i tyre, të dimë sadopak edhe për një kockë, se ku të vendoset nga një lule...

”Këta janë në Kosovë dhe me një përqindje të madhe sigurie mund të them se institucionet vendore mund të bëjnë presion që këta trupa të identifikohen sa më shpejt”.

“Nuk po mundemi ata që janë në Serbi. Po, nëse ata nuk po mundemi, atëherë të paktën këta po. Sido që të jetë fati i tyre, të dimë sadopak edhe për një kockë, se ku të vendoset nga një lule”,
shprehet Efendija.

Aktualisht po bëhen hetime për varrezën masive në Rashkë të Serbisë, ku dyshohet të jenë varrosur 250 – 300 shqiptarë të Kosovës. Prishtina dyshon edhe për disa varreza tjera në Serbi.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, thotë se Beogradi duhet të heqë dorë nga obstruksionet dhe të ndihmojë zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Nesrete Kumnova kërkon nga bashkësia ndërkombëtare, që të ushtrojë trysni mbi Beogradin.

“Është e vërtetë që institucionet tona nuk mund të bëjnë trysni drejtpërdrejt te Serbia. Por, është bashkësia ndërkombëtare ajo që mund të ushtrojë presion te pushteti serb, që të japë informacione, t’i hapë dosjet dhe, së paku, t’i tregojë vend-varrezat e më të dashurve tanë dhe t’i kthejë aty edhe ku e kanë vendin”, thekson Kumnova.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kritikoi ditë më parë të gjitha qeveritë e vendeve të ish- Jugosllavisë se nuk po bëjnë sa duhet për të zbardhur fatin e më se 15 mijë personave të vrarë në luftërat e viteve të ’90-ta.

Ndërkohë, edhe pse zyrtarisht trajtohet si çështje humanitare, Prishtina kritikon Beogradin zyrtar se edhe në bisedimet e grupeve punuese për të pagjeturit, e ka politizuar këtë çështje.

Ndërkohë, familjarët e personave të pagjetur, siç është Nesrete Kumnova, kanë përtërirë për të tretën herë fotografitë e personave të pagjetur, të varura në rrethojat e ndërtesës së Kuvendit, me shpresë se ky veprim, siç thonë, do të trokasë në ndërgjegjen e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për ta marrë më seriozisht fatin e të pagjeturve.
XS
SM
MD
LG