Ndërlidhjet


Ngritja e mundshme e tarifave të energjisë elektrike pas privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit të Korporatës Energjetike të Kosovës ka ngjallur shqetësim edhe tek ekspertët e energjetikës.

Ata janë të bindur se menjëherë pas privatizimit kompania fituese do të bëjë rritjen e tarifave energjetike. Eksperti i energjisë Sami Ahmeti thotë se Qeveria e Kosovës duhet të mendojë që tani që të mund të ndikojë në çmimet e rrymës, pasi që ngritja eventuale do të ndikonte në kushtet ekonomike edhe ashtu të rënda të familjeve kosovare.

“Një element shumë të rëndësishëm të infrastrukturës po ia jep dikujt tjetër. Ai e ka mandej mundësinë e rritjes së kostos së energjisë, që në këtë situatë të rëndë sociale do të ndikonte në varfërinë e familjeve tona”, thotë Ahmeti.

Ekspertët kosovarë vlerësojnë se duke u bazuar nga përvojat e rajonit, privatizimi i furnizimit me energji elektrike nuk sjell ndonjë rezultat të mirë.

Termocentrali Kosova- A

Fllanza Hoxha, eksperte e energjetikës, thotë se në disa shtete evropiane ku është bërë privatizimi dhe ku tarifat e energjisë janë rritur, ka pasur shërbime më të mira , por, sipas saj, kjo për Kosovën mund të paraqesë problem, pasi që qytetarët nuk kanë para t’i paguajnë faturat rrymës me çmimet që janë aktualisht.

“Prandaj, nga një komani monopole private mund të pritet edhe ngritja e tarifave. Këtu Qeveria duhet të ketë pikësynim kryesor që të gjejë marrëveshje me kompaninë, e cila e privatizon rrjetin dhe furnizimin që çmimet të jenë të kontrolluara nga rregullatori për energji”, shprehet Hoxha.

Ngritjen e tarifave të energjisë, kohë më parë e kishte paralajmëruar edhe ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula Shiroka, e cila ka thënë se në fazën e dytë, pra gjatë privatizimit do të ketë një rritje të menjëhershme të tarifave të energjisë elektrike në një përqindje të madhe dhe kjo, sipas saj, do të mund të sjellë pakënaqësi sociale në kushte të një krize ekonomike dhe të një papunësie të lartë.

Ndërkohë, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës, të cilët nuk kanë dashur të komentojnë lidhur me ngritjen e çmimeve të tarifave të energjisë pas privatizimit, thonë se çmimet aktuale nuk reflektojnë me koston.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, shprehet:

“Tarifat aktuale, sidomos për konsumatorët e amvisërisë nuk reflektojnë koston, kjo është arsyeja që ne kemi kërkuar rritje prej 14. 6 për qind gjatë këtij viti, gjë e cila nuk është aprovuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji”.


Ndryshe, KEK-u është kompania e vetme publike në Kosovë, e cila ofron furnizimin me rrymë për konsumatorët kosovarë.

Që nga viti 1999 në KEK janë investuar mbi 1 miliard euro, mirëpo efektet në përmirësimin e furnizimit me rrymë kanë qenë simbolike.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG