Ndërlidhjet

“Shkupi 2014”, akuza të ndërsjella mes partive shqiptare


"Porta e Triumfit" që parashihet në projektin "Shkupi 2014
"Porta e Triumfit" që parashihet në projektin "Shkupi 2014

Skena politike shqiptare në Maqedoni bëhet gjithnjë e më e nxehtë. Ditëve të fundit ka pasur shumë kritika dhe akuza të ndërsjella mes subjekteve politike shqiptare.

Partia Demokratike Shqiptare ka drejtuar kritika të shumta në adresë të Qeverisë së Bashkimit Demokratik për Integrim dhe VMRO-DPMNE-së.

Përfaqësuesi i partisë opozitare, PDSH, Bekim Fazliu, ka kritikuar Qeverinë për realizimin e projektit “Shkupi 2014”.

“Kokëfortësisë nacionaliste të Nikolla Gruevskit, Ali Ahmeti dhe partia e tij, jo që nuk kanë dije, por nuk kanë as edhe guxim t’i kundërvihen”.

“Përderisa qytetarët, e veçmas shqiptarët, ballafaqohen me skamje të madhe, Qeveria Gruevski-Ahmeti derdhin qindra miliona euro për të manifestuar nacionalizmin e vonshëm dhe primitiv maqedonas, siç është rasti me këto përmendore në kuadër të projektit ‘Shkupi 2014’”
ka thënë Fazliu.

Edhe Demokracia e Re përmes zëdhënësit të saj, Arianit Hoxha, ka konkluduar se Bashkimi Demokratik për Integrim së bashku me VMRO-DPMNE-në është bashkëfajtore për realizimin e projektit “Shkupi 2014”.

“BDI-ja doli në mbrojtje të partnerit të koalicionit si avokat i saj dhe rezultoi që ne, me fakte treguam se ata janë bashkëfajtorë bashkë me VMRO-DPMNE-në për gjendjen që është krijuar në këtë shtet dhe vecmas për projektin ‘Shkupi 2014’, i cili ka qenë edhe shkak i akuzave apo kritikave që ne ia kemi drejtuar kësaj qeverie”, është shprehur Hoxha.
Vendosja e monumenteve në qendër të Shkupit


Por, këto kritika dhe akuza të opozitës shqiptare i ka hedhur poshtë kryetari i Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani.

Sipas tij, projekti “Shkupi 2014” është miratuar në kohën e qeverisjes së mëparshme kur në pushtet ka qenë PDSH-ja dhe Demokracia e Re si pjesë e PDSH-së.

“Ne, si koalicion qeveritar VMRO-DPMNE-BDI, derisa në kohën tonë janë problematizuar, kemi arritur që të imponojmë që në pjesën tjetër të Shkupit të kemi edhe elemente të figurave dhe të busteve të personaliteteve shqiptare”,
ka theksuar Hani.

Ndërsa, kundër projektit “Shkupit 2014” ka reaguar edhe Shoqata e Historianëve Shqiptarë. Nënkryetari i saj, Skënder Hasani, ka thënë se partitë shqiptare, duke bërë akuza të ndërsjellam nuk po arrijnë të ndikojnë që ky projekt të jetë edhe shumetnik.

“Faktori shqiptar, si ai në opozitë, si ai në pozitë, nuk po mund të gjejë gjuhë të përbashkët për të reaguar në mënyrë unike që ky projekt të reflektojë edhe karakterin multietnik. Akuzat e ndërsjella mes subjekteve politike, shkojnë në dëm të jetësimit që ky projekt të jetë edhe multietnik”, ka vlerësuar Hasani.

Kundër projektit “Shkupi 2014” që financohet nga Qeveria e që ka kushtuar 200 milionë euro, janë shprehur edhe organizatat joqeveritare të shqiptarëve “Zgjohu” dhe “Realiteti”.
XS
SM
MD
LG