Ndërlidhjet

Autoritetet në Prishtinë thonë se paralajmërimet e presidentit serb, Boris Tadiq, për gatishmërinë e tij rreth disa kompromiseve në raport me Kosovën, nuk e ndryshojnë pozicionin e Serbisë dhe e ftojnë Tadiqin që ta njohë mendimin e GJND-së dhe të shprehë gatishmërinë për relaksimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.


Çfarëdo rezolute për Kosovën që paraqitet nga Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, qoftë ajo e modifikuar apo jo, është e panevojshme dhe nuk i kontribuon relaksimit të marrëdhënieve mes dyja vendeve, thonë autoritetet në Prishtinë.

Ndërkaq, paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, se është i gatshëm për disa kompromise, përfaqësuesit në Prishtinë i shohin si taktizime të politikës serbe dhe i preferojnë Tadiqit që në vend të kompromiseve, ta njohë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se pozicioni i palës kosovare është i qartë, që nënkupton se nuk ka nevojë për rezolutë serbe në Asamblenë e Përgjithshme, pasi që ajo në çfarëdo forme që paraqitet, është menduar t’i nxjerrë telashe shtetit të Kosovës.
Nuk ka nevojë për asnjë lloj rezolute, për shkak se GJND-ja edhe njëherë e konfirmoi fuqishëm validitetin e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës.


“Nuk ka nevojë për asnjë lloj rezolute, për shkak se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë edhe njëherë e konfirmoi fuqishëm validitetin e legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Kështu që Tadiqi bashkë me qeverinë do të ishte mirë që të mendonte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe dy shteteve fqinje”
, thotë Beqiri.

Ndërkohë, edhe opozita nuk sheh ndonjë ndryshim në pozicionin e Serbisë karshi Kosovës, por deklaratat e presidentit Tadiq më shumë i sheh si taktizime dhe përpjekje për të përfituar politikisht në raportet e dëmtuara të këtij vendi me Bashkimin Evropian.

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi thotë se Kosova tashmë i ka bërë kompromiset e veta dhe ato mund të lexohen në Pakon e Ahtisarit.

Kurse tani, nënvizon Arifi, të dyja shtetet vetëm mund të bisedojnë për raporte ndërshtetërore, por jo edhe kompromise tjera në lidhje me çështje të brendshme të Kosovës.
Ne besojmë se koha e kompromiseve dhe e marrëveshjeve ka kaluar me Pakon e Ahtisarit.


“Ne besojmë se koha e kompromiseve dhe e marrëveshjeve ka kaluar me Pakon e Ahtisarit, gjë që është konfirmuar tashmë edhe me mendimin e GJND-së. Rezoluta të tilla nuk e ndihmojnë Serbinë, e as paqen në rajon, përkundrazi”
, thekson Arifi.

Që nga paraqitja e nismës për rezolutën serbe në Asamblenë e Përgjithshme, Serbinë e kanë vizituar diplomatë perëndimorë në përpjekje që ta bindin këtë vend që të heqë dorë, apo të paktën ta modifikojë tekstin e projekt-rezolutës, i cili shihet edhe si anashkalim i mendimit të GJND-së.

Mirëpo, në çdo variant të mundshëm, një rezolutë e tillë, qoftë edhe e miratuar eventualisht në Nju-Jork, megjithatë nuk do të ishte obligative për Kosovën, vlerëson analisti Driton Lajçi.

Driton Lajçi

“Në aspektin formal, rezoluta nuk e obligon Kosovën, sepse ajo do të jetë version politik. Por, ajo do t’u hyjë në favor qendrave të vendosjes, Uashingtonit e Brukselit, që të procedojnë me hapat e mëtejmë në drejtim të afrisë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit".

"E dyta, rezoluta nuk ka mundësi, nuk ka fuqi e as efekt që ta anulojë, shtrembërojë apo ndryshojë mendimin e GJND-së”
, vlerëson Lajçi.


Analisti Driton Lajçi thotë se të gjitha opsionet lidhur me këtë rezolutë janë ende të hapura, ndonëse nuk e përjashton mundësinë që Serbia ta tërheqë këtë rezolutë dhe në vend të saj Asambleja e Përgjithshme të nxjerrë një deklaratë, me të cilën do të ftoheshin Serbia dhe Kosova që të fillojnë bisedimet në Bruksel.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG