Ndërlidhjet

logo-print

Polonia kujton krijimin e "Solidaritetit"

  • RFE /RL

Lideri i "Solidaritetit", Leh Valesa, në tubimin e punëtorëve, Gdansk, 8 gusht 1980.

Lideri i "Solidaritetit", Leh Valesa, në tubimin e punëtorëve, Gdansk, 8 gusht 1980.


Krijimi i Sindikatës së Pavarur në Poloninë komuniste para 30 vjetësh, tani shënohet si goditja e parë e suksesshme kundër kontrollimit sovjetik të Evropës Lindore.

Aktivitete të ndryshme janë organizuar që të shënojnë këtë ngjarje historike në mbarë Poloninë. Ngjarjet kryesore mbahen në qytetet afër Baltikut, ku u krijua “Solidariteti”.

Presidenti polak, Branislav Komorovski, mori pjesë në një prej aktiviteteve që u mbajt në portin e Shçeqin.

Bronislav Komorovski

“Në këtë ditë të veçantë, ne mund të përballemi me të gjithë këta njerëz me krenari dhe kënaqësi. Ne, gjithashtu, po nderojmë luftën heroike të tyre për rrënimin e një sistemi dhe po kujtojmë me krenari se lufta e tyre nuk ishte e suksesshme vetëm në rrëzimin e komunizmit, por gjithashtu ajo ndërtoi bazën për reforma efektive
”, tha më tutje presidenti Komorovski.

Ajo që po festohet janë marrëveshjet e Gdanskit të nënshkruara më 31 gusht 1980, në mes të qeverisë komuniste dhe punëtorëve që mbanin grevë përgjatë bregdetit të Baltikut.


Marrëveshjet lejonin krijimin e një sindikate të pavarur, të drejtën e grevës, ngritjen e rrogave, kufizonte censurën, lirimin e të burgosurve politikë, si dhe lejonte transmetimin javor të meshës katolike në radiotelevizionin e kontrolluar nga shteti.

Ndërkohë, anëtarësimi në Sindikatën polake arriti në shifrën 10 milionë që përbënte më shumë se çerekun e popullsisë polake.

Prapa kësaj iniciative qëndronte personaliteti i fuqishëm i Leh Valesës, i cili u emërua udhëheqës i komitetit të grevës dy javë para se të nënshkruheshin marrëveshjet me qeverinë.

Gjatë atyre ditëve, kishte edhe tensione kur askush nuk e dinte nëse qeveria polake do të vendoste shtypjen e protestës me forcë, apo nëse Moska do të humbiste durimin e do të dërgonte trupa në Poloni.

Deri më sot, Valesa thotë se ai mezi arrin të besojë çka ishte nisur në atë kohë dhe çka është arritur pas një dekade.

Leh Valesa (djathtas) dhe kryeministri Donald Tusk në 30-vjetorin e "Solidaritetit"


“Nëse ndokush do të më thoshte në atë kohë se do të jetoja që të shoh se një ditë nuk do të ketë komunizëm dhe asnjë sovjetik në Poloni, se Polonia do të bëhet e pavarur dhe sovrane, unë nuk do ta besoja”
, thotë Valesa.

Duke folur në një koncert në Gdansk të dielën, Valesa kujtoi rolin e “Solidaritetit” pas kolapsit të komunizmit në Evropën Lindore dhe përfshirjen e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Nëse do të mundesha të riktheja tim atë në jetë për një moment dhe t’i tregoj atij se nuk ka sovjetikë në Poloni, nuk ka ushtarë të stacionuar në kufirin polako-gjerman, nuk ka kufi fare dhe në përgjithësi nuk ekzistojnë kufijtë në Evropë, ai do të vdiste nga sulmi në zemër për të dytën herë”,
iu drejtua Valesa të pranishmëve në koncert.

Mirëpo, Valesa dhe “Solidariteti” ka kohë që janë ndarë. Menjëherë pasi “Solidariteti’ mori përsipër rolin kryesor në zëvendësimin e qeverisë komuniste në vitin 1989, Valesa një vit më pas u bë presidenti i Polonisë.

Çarja e fundit në mes të Valesës dhe “Solidaritetit” ndodhi kur sindikata vendosi ta përkrahë kandidatin konservativ për president, Jaroslav Kaçinski, i cili, megjithatë, nuk arriti të zgjedhet president në zgjedhjet e këtij viti.

Valesa refuzoi që të marrë pjesë në festimet që janë organizuar për në portin Shçeqin, duke e arsyetuar mungesën e tij në blogun personal me “lodhje të tmerrshme” dhe se thjesht dëshiron që të pushojë “në paqe dhe qetësi”.(a.h.)
XS
SM
MD
LG