Ndërlidhjet

Ankthi i pritjes


Prishtinë 30 gusht 2010
Prishtinë 30 gusht 2010
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, familjes Ramadani dhe Behluli nga Fushë-Kosova, u është hequr ankthi i pritjes, por u është shtuar dhimbja.

Këto dy familje varrosën të hënën gjashtë anëtarë të familjeve të tyre, të vrarë në luftë, eshtrat e të cilëve u gjetën dhe u identifikuan vetëm pas 11 vjet pritjeje.

Ndërkaq, janë edhe qindra familje të tjera që presin, ndërsa në Kosovë figurojnë edhe më tej rreth dy mijë persona të pagjetur.

Ankthi nuk i është hequr ende as Nesrete Kumnovës nga Gjakova. Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, ende pret që t’i zbardhet fati i të birit të vetëm të humbur në luftë.
Ne, familjet nuk jemi të kënaqura me punën, me efektin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, pasi që kaluan 11 vjet dhe Kosovës i mungojnë edhe 1860 qytetarë të saj...


“Ne, familjet, nuk jemi të kënaqura me punën, me efektin e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, pasi që kaluan 11 vjet dhe Kosovës i mungojnë edhe 1860 qytetarë të saj”.


“Si familjarë, u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të kërkojnë nga bashkësia ndërkombëtare, ta kushtëzojë Serbinë të tregojë se ku gjenden të dashurit tanë, pasi që të gjithë kanë adresë”,
thotë Kumnova.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Pagjeturve, “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut”, organizoi një aksion simbolik në qendër të Prishtinës, për të sensibilizuar opinionin në lidhje me këtë problem, që po zvarritet tash 11 vjet.

Këpucë fëmijësh, grash, pleqsh e burrash, me nga një pikëpyetje të vendosur sipër, të shpërndara në Sheshin “Nëna Terezë”, sipas Besart Lumit, synojnë t’i japin karakter human problemit të të pagjeturve.
Aksioni ynë ka për simbolikë t’i japë karakterin njerëzor çështjes së të pagjeturve...


“Aksioni ynë ka për simbolikë t’i japë karakter njerëzor çështjes së të pagjeturve, sepse shumë shpesh ata po konsiderohen vetëm si një numër, ndërkaq duhet pasur parasysh se ata, para së gjithash, janë njerëz dhe pjesë e kësaj shoqërie”.


“Ne, përmes një numri shumë të madh të këpucëve, që simbolizojnë numrin e madh të viktimave dhe personave të pagjetur, kemi dashur ta japim këtë karakter human atyre
”, thotë Besart Lumi nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Dy familje në Fushë-Kosovë varrosën eshtrat e 6 familjarëve të vrarë në luftë


Autoritetet e Prishtinës kërkuan edhe të hënën e 30 gushtit nga Beogradi që të japë informacione për 1840 personat që ende figurojnë në listën e të pagjeturve.

Kreu i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Prenkë Gjetaj, është i bindur se qeveria serbe i ka të gjitha informacionet për vendndodhjen e kufomave apo mbetjeve mortore.





“Sigurisht se është vështirë të dihet filli dhe duhet një trysni shumë më e madhe, madje edhe kushtëzim i autoriteteve qeveritare dhe Beogradit për të treguar, sepse ata dinë dhe kanë informacione për çdo vend, çdo varrezë, çdo njeri, që e kanë marrë si peng, apo në forma të ndryshme”
, thekson Gjetaj.
...ata (autoritetet në Serbi) dinë dhe kanë informacione për çdo vend, çdo varrezë dhe çdo njeri, që e kanë marrë si peng...


Aktualisht po bëhen hetime për varrezën masive në Rashkë të Serbisë, ku dyshohet të jenë varrosur 250 – 300 shqiptarë të Kosovës. Prishtina dyshon edhe për disa varreza tjera në Serbi.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, thotë se Beogradi duhet të heqë dorë nga obstruksionet dhe të ndihmojë zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Ndërsa, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ditë më parë kritikoi të gjitha qeveritë e vendeve të ish-Jugosllavisë se nuk po bëjnë sa duhet për të zbardhur fatin e më se 15 mijë personave të vrarë në luftërat e viteve '90.

Lexoni edhe këtë: Të pagjeturit - plagë e hapur e luftës
XS
SM
MD
LG