Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet e rendit thonë se ka indikacione se në veri të Kosovës mund të ketë përkeqësim të situatës së sigurisë. Një gjë të tillë e thonë edhe ekspertët e sigurisë. Megjithatë, drejtuesit e Policisë së Kosovës shprehen të vendosur se do të merren të gjitha masat, si nga autoritetet vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, që situata të mos tensionohet.


Shpërthimet e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, sipas përfaqësuesve të lartë të Policisë së Kosovës, janë indikacione që mund të çojnë deri te tensionim i situatës së sigurisë në atë pjesë të Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se raportet e fundit dhe veprimet e pjesëtarëve të strukturave të caktuara nga komuniteti serb, tregojnë se situata atje mund të përkeqësohet.


“Nëse e gjykojmë situatën në bazë të akteve të fundit, sidomos të sulmit në oborrin e stacionit policor, pastaj edhe të disa reagimeve të aty-këtushme të pjesëtarëve të caktuar të komunitetit serb atje, atëherë del se ka tendenca të përkeqësimit apo të tensionimi të situatës”
, thotë Selimi.


Edhe eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, vlerëson se situata e sigurisë në veri, vazhdon të jetë e tensionuar.

Sipas Musliut, janë të qarta provokimet nga qarqe të caktuara serbe, të cilat janë të interesuara për tensionim dhe sulme ndaj institucioneve të Kosovës.

“Indikacionet ekzistojnë për shkak se Qeveria e Serbisë në krye me kryetarin e saj, kryeministrin, si dhe ministrin e Punëve të Brendshme, organizojnë gjithmonë forma të presionit dhe dhunës në pjesën veriore të Kosovës për të bërë presione politike, për të fituar poena politikë në arenën ndërkombëtare dhe për ta penguar zhvillimin e Kosovës në drejtim të integrimit evropian”
, thotë Musliu.

Situata e sigurisë në veri të Kosovës, vazhdon të përbëjë një kërcënim për situatën e përgjithshme të sigurisë në vend, vlerësuan përfaqësues të misionit të NATO-s në Kosovë.

Së fundi, ata thanë se në pjesën veriore dhe në jug të Mitrovicës ekziston potenciali për dhunë dhe se vazhdon të ketë konflikte e përplasje të interesave në mesin e banorëve shqiptarë e serbë, si pasojë e koncepteve të ndryshme politike për Kosovën.

Megjithatë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, thotë se KFOR-i, policia e EULEX-it dhe ajo e Kosovës nuk do të lejojnë që të ketë përshkallëzim të situatës në veri.

“Këto janë përpjekje. Përpjekjet e tilla, sipas vlerësimit tonë, nuk kanë shumë potencial për ta keqësuar situatën. Kur i shtojmë edhe përpjekjet tjera që po bëhen jashtë sferës sonë profesionale, pra përpjekjet politike, atëherë mund të japim vlerësim optimist se, megjithatë, situata do të mbahet nën kontroll”,
konfirmon Selimi.

Ndryshe, autoritetin kryesor për sigurinë në veri e ka policia e EULEX-it dhe KFOR-i, por udhëheqësi i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, sqaron se në ditët në vijim do të ketë angazhim më të madh të pjesëtarëve të PK-së.

“Policia e Kosovës në veri vazhdon të jetë nën urdhrat operativë të Policisë së EULEX-it, dhe se EULEX-i, së këndejmi, do t’i aktivizojë shumë policë të Kosovës, ata të komunitetit serb, që të kenë rol më pro-aktiv në parandalimin e përkeqësimit të situatës”
, sqaron Selimi.

Eksperti Musliu konsideron se mungesa e shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri, bën që shpesh të përsëriten rastet e sulmeve atje.
Është me rëndësi që njëherë e përgjithmonë këto struktura ta kuptojnë se jetojnë në Kosovën e pavarur...


“Është me rëndësi që njëherë e përgjithmonë këto struktura ta kuptojnë se jetojnë në Kosovën e pavarur dhe gjyqësori e Policia e Kosovës, pa marrë parasysh a ju ndihmon EULEX-i apo jo, duhet të veprojnë në mënyrë adekuate të ruajtjes së rendit ligjor dhe Kushtetutës së Kosovës”.


“Por, ajo çka është më rëndësi, duhet të shtrihen politikisht, të ketë vullnet politik shumë më agresiv nga qarqet politike kosovare”
, shprehet Musliu.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG