Ndërlidhjet

Maliki: Iraku rifiton pavarësinë


Bagdad
Bagdad
Iraku ka rifituar pavarësinë me fundin e operacioneve luftarake amerikane në vend, deklaroi kryeministri Nuri al Maliki.

Ai theksoi se forcat irakiane janë plotësisht të afta të marrin përgjegjësitë për çështjet e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara deklarojnë të martën edhe zyrtarisht përfundimin e operacioneve luftarake në Irak, shtatë vjet e gjysmë pas ndërhyrjes dhe rrëzimit të regjimit të Sadam Huseinit.

Në praktikë trupat e fundit luftarake amerikane janë larguar nga Iraku rreth dy javë më parë.

Në mbrëmje presidenti Obama do të mbajë një fjalim nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë, ku do të flasë edhe për rolin e Amerikës në Irak në të ardhmen dhe fokusimin në luftën kundër talibanëve në Afganistan.

Obama, i cili kishte kundërshtuar ndërhyrjen në Irak gjatë fushatës presidenciale, kishte premtuar t’i jepte fund luftës. Pavarësisht fundit të operacioneve luftarake, Shtetet e Bashkuara do të mbajnë në Irak 50 mijë trupa të armatosura rëndë. Detyra kryesore e tyre do të jetë aftësimi i trupave irakiane të sigurisë.

Ushtar amerikan duke u larguar
Trupat e mbetura amerikane janë paraparë të largohen nga Iraku deri në fund të vitit 2011.

Megjithatë, tërheqja ka shkaktuar reagime të ndryshme. Izz al-Din Dawla, anëtar i bllokut politik Al-Iraqiyah duke folur për Radion Evropa e Lirë, theksoi:


“Tërheqja e trupave luftarake amerikane dërgon mesazhin për të gjithë politikanët irakianë se duhet të jenë më të përgjegjshëm. Siguria është e lidhur me politikën dhe Iraku vazhdon të përgjaket”.


Nga ana tjetër, edhe ushtarë amerikanë ndajnë bindjen se ka ende shumë punë për t’u bërë në Irak.

“Nuk dua ta thjeshtëzoj problemin, por ne krijuam shumë telashe, të cilat duhet t’i ndreqim. Presidenti Obama ka platformën se trupat duhet të kthehen në vend. Kjo është ide shumë e mirë, por realiteti është se nëse ne nuk jemi këtu, shumë gjëra të këqija do të ndodhin”
, tha ushtaraku amerikan Tom Trans.

Problemet e sigurisë dhe dhuna sektare kanë zhvendosur qindra mijëra njerëz nga shtëpitë e tyre, të cilët e shohin të zymtë të ardhmen edhe pas tërheqjes së trupave amerikane.

Karen Hasan Abud jeton me gruan, tre nipër e mbesa dhe dy bijat e veja në dy dhoma në një nga kampet e ngritura në Bagdad. Abud ndihet i tradhtuar nga udhëheqësit politikë të vendit, që ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për krijimin e qeverisë.

“Nëse kushtet mbeten siç janë tani dhe nuk formohet qeveria, ditë pas dite situata do të përkeqësohet. Politikanët luftojnë për pozita dhe nuk e kanë idenë çfarë hamë e pimë, e ku flemë”,
u shpreh Abud.

Komisariati i Lartë për Refugjatë thotë se 1.5 milion njerëz janë të zhvendosur brenda Irakut, nga të cilët 500 mijë gjenden në kampe apo ndërtesa publike. Qindra mijëra të tjerë janë refugjatë në Sirinë dhe Jordaninë fqinje.

Në Irak shumë nga të zhvendosurit nuk mund të kthehen në shtëpitë dhe lagjet e mëparshme për shkak të dhunës ndërfetare, apo për shkak se shtëpitë e dikurshme janë zaptuar apo shkatërruar.

Me gjithë nevojat, kontribuesit kanë filluar të tërhiqen nga Iraku, tha Daniel Enders, kreu i UNHCR-së në Bagdad. Ai shtoi se nga 264 milionë dollarë që kërkuan, kanë marrë më pak se gjysmën.

“Është shumë e rëndësishme se vendet e dala nga konfliktet apo ato në trazicion - një pjesë e Irakut është ende në konflikt – duhet të marrin ndihma të mjaftueshme për një periudhë kohe. Statistikat tregojnë se pa ndihmën e nevojshme, shoqëritë e dala nga lufta i kthehen konfliktit brenda shtatë vjetësh
”, tha Endres. (i.b)
XS
SM
MD
LG