Ndërlidhjet

logo-print

S'ka anashkalim të Pakos Ahtisari


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Rekomandimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për autonominë e veriut, burimin e kanë tek intervistat me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thanë udhëheqës të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e përjashtoi mundësinë e anashkalimit të Pakos së Ahtisarit në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për veriun.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kërkoi Kuvendit që të thërrasë një seancë plenare për të diskutuar gjendjen në pjesën veriore dhe rekomandimet e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Duke iu referuar zgjidhjeve që rekomandon Grupi i Krizave, ndër të cilat është edhe shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo autonomia për veriun, AAK-ja tha se deri te këto rekomandime, Grupi i Krizave ka ardhur pas intervistave që ka zhvilluar me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Nënkryetari i AAK-së, Naim Maloku, theksoi gjatë një konference për media, se Kuvendi duhet të mblidhet dhe të vërtetojë deklaratat e zyrtarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, janë pajtuar me zgjidhjet që anashkalojnë Pakon e Ahtisarit, sidomos atë të autonomisë për veriun.

Naim Maloku

Më lejoni t’ua lexoj një citat”, tha Maloku, duke vazhduar: “Në shkëmbim të njohjes së plotë nga Serbia dhe marrëdhënieve bilaterale, përcjellë nga përkrahja e fuqishme e BE-së për integritetin territorial, Kosova mund të jetë e gatshme për të shkuar më tutje, duke i lejuar veriut që të zgjedhë legjislativin e vet rajonal (Parlamentit, vërejtje e Grupit) me kompetenca për fusha specifike ligjore dhe me mundësinë e zgjedhjes së ekzekutivit rajonal (Qeverisë, vërejtje e Grupit). Intervistë e Grupit të Krizave me zyrtarë të lartë të Qeverisë, Prishtinë, 18 qershor 2010, citimi numër 89”, citoi pjesë të raportit të Grupit të Krizave, Naim Maloku.

Duke u bazuar në intervistat e tilla të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, Grupi i Krizave erdhi deri te rekomandimet për autonominë e veriut, tha Naim Maloku, andaj kërkoi që Kuvendi, si organi më i lartë, të debatojë dhe shqyrtojë se si erdhi deri te konstatimet e tilla, të cilat dallojnë me deklaratat publike të zyrtarëve kosovarë.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, hodhi poshtë mundësinë e anashkalimit të Pakos së Ahtisarit kur flitet për zgjidhjen e problemit të veriut.

Krasniqi tha se Kosova i ka bërë kompromiset e veta dhe se Pakoja e Ahtisarit garanton më shumë të drejta për komunitetin serb sesa që garantojnë shumë vende tjera për minoritetet.

Krasniqi theksoi se edhe vendet e rajonit do të duhej të merrnin shembull nga Kosova për zgjidhjet që ka ofruar me këtë dokument.

Jakup Krasniqi

“Ne kemi respekt për raportin e ICG-së, por ne jemi të bindur se dokumenti i presidentit Ahtisari për të drejtat dhe liritë e komuniteteve pakicë dhe për decentralizimin e pushtetit vendor është një nga dokumentet më të avancuara sa i përket të drejtave dhe lirive të komuniteteve pakicë krahasuar me cilindo vend të Evropës”.

“Andaj, ne nuk mendojmë se duhet të ndryshohet në cilëndo pjesë të Kosovës dokumenti gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari”,
theksoi Krasniqi.


Shtrirja sa më e shpejtë e pushtetit nga ana e institucioneve të Kosovës në pjesën veriore, nga opozita shihet edhe si pozicion më i favorshëm i Kosovës në prag të bisedimeve të ardhshme me Serbinë.

Naim Maloku, nga AAK-ja, tha se institucionet duhet të mbeten pranë qëndrimeve se për veriun nuk mund të ketë zgjidhje që anashkalon apo plotëson Pakon e Ahtisarit.

“Ne qëndrojmë fuqishëm në atë se nuk ka Ahtisari plus, por ka zbatim të Planit të Ahtisarit, sepse edhe Kushtetuta e Kosovës dhe ligjet në fuqi, shumica e tyre që kanë të bëjnë me sigurinë dhe decentralizimin, burojnë nga Pakoja e Ahtisarit”,
u shpreh Maloku.

Sado që bisedimet e ardhshme Kosovë – Serbi në vazhdimësi janë cilësuar si teknike, analistë por edhe politikanë nga radhët e opozitës në disa raste kanë tërhequr vërejtjen se këto bisedime nuk do të mund të shmangin problemet si ai i veriut, pavarësisht deklaratave të zyrtarëve me të lartë kosovarë se kjo çështje nuk do të jetë pjesë e agjendës së takimeve eventuale ndërmjet dyja shteteve.

Lexoni edhe këtë: Prishtina kundër shkëmbimit të territoreve
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG