Ndërlidhjet

Toni Bler: Memoaret


Libri autobiografik i Toni Blerit "A journey"
Libri autobiografik i Toni Blerit "A journey"
Kujtimet e Toni Blerit të botuara në libër për dekadën sa ishte në pushtet, po nxisin një atmosferë njëjtë si me atë të yjeve të Hollivudit. Libri me titull “A Journey” tashmë ka zënë vendin e dytë në listën e librave më të shitur në Britani.

Libri përfshin vitet 1997 - 2007, mirëpo interesi i publikut shumë më tepër përqendrohet në lidhje me atë se çka zbulon Bleri rreth vendimit për t’iu bashkuar ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga amerikanët në Irak.

Bleri thotë se nuk pendohet për vendimin që të shkohet në luftë kundër Irakut dhe se ai beson që largimi i Sadam Hyseinit e ka bërë atë vendim të vlefshëm.

Megjithatë, ai thotë se asnjëherë nuk e ka paramenduar shpërthimin e dhunës sektariane, terrorin apo viktimat e shumta në popullatën civile dhe ushtri.

Ai “ndjen jashtëzakonisht keqardhje” për viktimat, mirëpo kërkon nga lexuesit që më shumë të reflektojnë nëse vendimi i tij “ndoshta ishte i drejtë”.

Në korrik të vitit 2003 ai mbajti fjalim në Kongresin amerikan ku e mbrojti me pasion ndërhyrjen ushtarake në Irak. Të njëjtin pasion ai tani e shfaq kur flet për viktimat e këtij invazioni.

"Nëse ne kemi të drejtë, diçka që e besoj me çdo qelizë të trupit dhe bindjen që në kemi të drejtë, dhe të mos veprojmë atëherë kjo i bie që ne kemi hezituar përballë këtij kërcënimi në kohën kur është dashur të tregojmë lidership. Kjo është diçka që historia nuk do ta falte”
, kishte thënë Bler në vitin 2003 në Kongresin amerikan.

Përderisa historia ende nuk e ka dhënë verdiktin e saj, kundërshtarët e luftës dhe Blerit gjithmonë e shfaqin faktin se ata nuk e kanë falur atë. Kjo më së miri u tregua kur Bler u përball në Londër me një komitet hetues për luftën e Irakut në fillim të këtij viti. Thirrjet e protestuesve kundër tij bënin vetëm një thirrje: "Toni Bler - War Criminel" (Toni Bler - kriminel lufte)

Mirëpo, lufta në Irak nuk është e vetmja temë, për të cilën Bler flet në librin e tij. Ai bën një gjykim të ashpër për trashëgimtarin e tij në pozitën e kryeministrit britanik, Gordon Braun.

Bler, kohën gjatë së cilës Braun ishte kryeministër, e quan “katastrofale”, mirëpo e vlerëson pozitivisht atë kur është fjala për inteligjencën analitike.

Ai flet edhe për vdekjen e Princeshës Diana, marrëdhëniet me Mbretëreshën Elizabeta si dhe për konsumimin e alkoolit. “Derisa besoja që e kontrolloja sasinë se sa pija, në të njëjtën kohë isha i vetëdijshëm se alkooli ishte bërë një lloj përkrahësi për mua”, thotë Bler për konsumimin e alkoolit.

Ish-kryeministri britanik raportohet se ka marrë një avans prej 7 milionë dollarësh për botimin e librit, ndërsa fitimet që do të vijnë nga shitja do t’i jap si donacion për një organizatë që ndihmon veteranët e luftës në Britani. (a.h.)
XS
SM
MD
LG