Ndërlidhjet

logo-print

Kushtëzimet e regjistrimit të popullsisë


Maqedoni (Fotografi ilustruese)

Maqedoni (Fotografi ilustruese)

Bashkimi Demokratik për Integrime kërkon mbikëqyrje ndërkombëtare të procesit të regjistrimit të popullatës së Maqedonisë, i cili duhet të realizohet në fillim të 2011-s. Kjo meqë nuk i beson Entit Shtetëror të Statistikave dhe Ligjit aktual, në të cilët insiston partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE.

Nënkryetari i BDI-s, Rafiz Haliti thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm ngritja e një komisioni të posaçëm për regjistrimin e popullsisë, i cili do të mbikëqyrej nga faktori ndërkombëtar, mund të jetë garanci për evitimin e manipulimit të shifrave që do të dalin nga rezultati i regjistrimit në teren.
...është krijuar mosbesim tek Enti Shtetëror i Statistikave që duhet ta realizojë regjistrimin.


“E kemi këtë qasje, sepse edhe nga ana e qytetarëve, po dhe ne si subjekt politik, kemi rezervat tona, apo thënë më mirë është krijuar mosbesim tek Enti Shtetëror i Statistikave që duhet ta realizojë regjistrimin. Këtë gjë e kemi paralajmëruar edhe më herët, them kemi mosbesim për shkak të mospërfaqësimit adekuat të shqiptarëve në këtë institucion”
, thotë nënkryetari Rafiz Haliti.

Haliti bën të ditur se partia e tij kërkon që regjistrimi të bëhet në bazë të një ligji të ri “i cili duhet të garantojë transparencë si dhe inkuadrimin e të gjitha bashkësive etnike në procesin e regjistrimit,në mënyrë që ky proces të jetë i besueshëm në fund dhe të jetë i pranueshëm edhe nga partitë politike në Maqedoni, edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkaq, VMRO-DPMNE e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski insiston që regjistrimi i popullatës të realizohet nga Enti i Statistikave bazuar në Ligjin ekzistues për regjistrim të vitit 2002.

Zyrtarët e partisë maqedonase në pushtet nuk kanë dashur të komentojnë kërkesën e partnerit të tyre shqiptar, të koalicionit.

Nga ana tjetër, Milaim Ademi, ish-zëvendësdrejtor i Entit të Statistikave, thotë se me mbylljen hermetike për nëpunësit shqiptarë, ky institucion ka humbur plotësisht besimin te popullata shqiptare.
Kjo kërkesë është shumë e arsyeshme dhe e logjikshme dhe nga vetë fakti ngase në Entin Shtetëror të Statistikave, nga 12-13 sektorët ekzistues, asnjë nuk drejtohet nga përfaqësuesit shqiptarë.


“Kjo kërkesë është shumë e arsyeshme dhe e logjikshme dhe nga vetë fakti ngase në Entin Shtetëror të Statistikave, nga 12-13 sektorët ekzistues, asnjë nuk drejtohet nga përfaqësuesit shqiptarë”,
bën të ditur Milaim Ademi, ekspert për çështjet demografike.

Sipas ekspertit Ademi, mungesa e shqiptarëve lë hapësirë për të dyshuar në relevancën e rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë së Maqedonisë.

“Në këtë institucion do të duhej të bëhej një përpjekje maksimale për të kthyer besimin e popullsisë, ngase aty bëhet dhe finalizimi i të dhënave, gjegjësisht regjistrimit nga terreni dhe hap dilemat për mundësinë e krijimit të një situate, ta them kështu, për manovrimin e të dhënave statistikore”,
konsideron eksperti Milaim Ademi, ish- zëvendësdrejtor i Entit të Statistikave.

Ndryshe procesi i regjistrimit është i rëndësishëm veçanërisht për shkak se nga përqindja e përkatësive etnike, varet edhe zbatimi i të drejtave që rrjedhin për to, i njohur si Parimi i Badenterit.

Regjistrimi parashihet të realizohet në prill të vitit 2011, ndërsa i tërë projekti do të kushtojë rreth 14 milionë euro.
XS
SM
MD
LG