Ndërlidhjet

Probleme edhe pas reformave


Foto nga arkivi( Ceremonia e gradimit të avokatëve të rinj në Prishtinë)
Foto nga arkivi( Ceremonia e gradimit të avokatëve të rinj në Prishtinë)

Edhe pas përfundimit të fazës së tretë të emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, sërish mund të ketë mungesë të tyre në gjykatat dhe prokuroritë kosovare.

Kjo pohohet nga vetë kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, i cili thotë se në fazën e tretë të procesit të reformës në drejtësi, që nënkupton emërimet në gjykatat komunale, nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm për pozitat e lira.
Kriteret për gjyqtar dhe prokuror janë të përcaktuara - duhet të kenë përvojë dhe më pas edhe disa provime hyrëse.

“Një problem është se nuk kemi kandidatë të mjaftueshëm; e theksuar është faza e tretë ku kanë mbetur pa u plotësuar disa vende dhe është një problem i madh. Për shkak të rrethanave të ndryshme, disa kanë rënë në testin e etikës. E dyta, disa kanë rënë edhe në procedurat e rregullta të verifikimit”.

“Kriteret për gjyqtar dhe prokuror janë të përcaktuara - duhet të kenë përvojë dhe më pas edhe disa provime hyrëse. Kështu që në të ardhmen, me këtë proces, nuk do të mund t’i plotësojmë të gjitha vendet”,
thotë Peci.

Në gjykatat kosovare vazhdojnë të jenë të pazgjidhura mbi 200 mijë lëndë të ndryshme. Një nga arsyet që është përmendur më së shpeshti për këtë grumbullim ka qenë mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Por, a i mungojnë vërtet kuadrot Kosovës?

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, shprehet i bindur se Kosova ka juristë të rinj të shquar. Por, sipas tij, shteti duhet t’i nxisë, nëse do që t’i bëjë pjesë të sistemit të drejtësisë.

“Unë besoj se në Kosovë ka juristë të kualifikuar dhe ka ekspertë që tash janë graduar edhe jashtë me kualifikime dhe programe të reja në drejtësi. Ata duhet të synojnë që të plotësohet numri i tyre mu prej këtyre njerëzve që i kanë shkathtësitë më të avancuara në drejtësi”
, vlerëson Dragusha.

Gjykata në Prishtinë

Korrupsioni në gjyqësi, mosefikasiteti, grumbullimi i lëndëve - janë vetëm disa nga kritikat më të shpeshta që i janë bërë sistemit të drejtësisë, i cili nga tri pushtetet në Kosovë, vazhdimisht ka dalë të jetë më i kritikuari nga raportet e ndryshme, që kanë monitoruar gjendja në Kosovë.

Enver Peci thotë se do të duhet ende shumë kohë në mënyrë që ky sistem të rimëkëmbet. Ai përmend disa arsye se përse drejtësia është në këtë nivel, që është tash.



“Sistemi gjyqësor për një kohë shumë të shkurtër nuk mund t’i arrijë kërkesat dhe ato objektivat e publikut edhe besoj që kritikat janë të arsyeshme, pasi janë lënë në kohë të gjatë pas dore dhe nuk ka pasur përkrahje nga dy pushtete tjera”.

“Pastaj edhe problemi i UNMIK-ut, që ka qenë si ekzekutiv, sidomos në fushën e sistemit gjyqësor - do të thotë ato janë pasojat që i kemi bartur dhe unë besoj që në pranverë të vitit të ardhshëm rezultatet do të jetë të pashme, edhe pse tash kanë filluar disa shenja fillestare të reformimit me gjyqtarët e rinj që i kemi emëruar”,
sqaron Enver Peci.

Megjithëse pranon se sistemi i drejtësisë ka shumë të meta, Musa Dragusha shpreh besimin se e ashtuquajtura reformë në drejtësi do të japë rezultatet e saj pozitive.
Këta persona që tani po zgjedhen përmes këtij procesi objektiv të riemërimeve, duket se po dëshmojnë performancë për t’u shkëputur nga praktika e trashëguar...


“Këta persona që tani po zgjedhen përmes këtij procesi objektiv të riemërimeve, duket se po dëshmojnë performancë për t’u shkëputur nga praktika e trashëguar dhe për të vendosur procedura dhe praktika gjyqësore në përputhje me standardet ndërkombëtare”.

“Dhe, vetëm në këtë mënyrë mund të synohet që të ndryshohet dhe të përmirësohet perceptimi zhgënjyes tradicionalisht i këtij populli që e ka ndaj sistemit gjyqësor”,
thekson Dragusha.

Reformimi i sistemit të drejtësisë ka kaluar nëpër tri faza.

Në fazën e parë janë emëruar dhe riemëruar gjykatësit dhe prokurorët në Gjykatën Supreme, në Prokurorinë e Shtetit dhe në atë Speciale. Në fazën e dytë është bërë përzgjedhja për Gjykatat e Qarkut. Dhe, faza e tretë, e cila po vazhdon ende, ka të bëjë me përzgjedhjen e gjykatësve dhe prokurorëve në gjykatat komunale dhe ato për kundërvajtje.
XS
SM
MD
LG