Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi i Kosovës mbajti seancë solemne për nder të figurës dhe veprës së humanistes së madhe, Nënës Terezë, në 100-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se “Populli shqiptar ndjehet i privilegjuar dhe krenar për bijën e tij humaniste të këtyre përmasave, që ishte gruaja më e madhërishme e botës së shekullit XX”.


Populli shqiptar ndihet krenar dhe i privilegjuar që nga gjiri i tij nxori një humaniste me përmasa kaq të mëdha botërore, tha të enjten kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, gjatë një seance solemne të Parlamentit të mbajtur në 100-vjetorin e lindjes së Nënës Terezë.

“Nëna jonë e madhe, me humanizmin e saj, me përkushtimin e dashurinë e saj mbinjerëzore bashkoi kombe e raca”
, tha Krasniqi.

Deri në fund të jetës, Nëna Terezë me përkushtim i shërbeu njerëzimit, pa marrë parasysh se në cilën anë të globit jetonin, pa marrë parasysh se ç’gjuhë e kombe përfaqësonin, rikujtoi Krasniqi, duke shtuar se shëmbëlltyra e saj me shenjtërinë e saj edhe sot është në shërbim të të gjithëve, pa dallim.

Jakup Krasniqi

“Populli ynë ndihet i privilegjuar dhe krenar për bijën e tij humaniste të këtyre përmasave, që ishte gruaja më e madhërishme e botës së shekullit XX”.

“Është një nder dhe një privilegj i madh për të gjithë ne, që jetuam në epokën e saj, e bëmë ndryshime të mëdha, që e patëm dhe e kemi përjetësisht një Gonxhe, të cilën mbarë bota e quan Nëna Terezë”,
u shpreh Krasniqi.

Kryeparlamentari Krasniqi tha po ashtu se për të kuptuar shpirtin dhe veprën humanitare të Nënës Terezë duhet t’i bëhet fillimisht një këndvështrim edhe historisë, kulturës e traditës së popullit shqiptar.

Sipas Krasniqit, “vetëm atëherë mund ta zbërthejmë, ta kuptojmë dhe ta shpjegojmë fenomenin e mirësisë, të dashurisë dhe të shpirtit të madh të kësaj bije të kombit tonë”.

“Gonxhe Bojaxhiun – që në mbarë botën njihet me emrin Nëna Terezë, e lindi, e rriti dhe e madhëroi lashtësia jonë ilire–shqiptare, e nxori në dritë martirizimi ynë shumëshekullor për dashurinë njerëzore, e lartësoi përvujtëria dhe stoicizmi ynë i pashembullt, e bëri të madhe dhe të pavdekshme dashuria e pafund për njerëzimin, e veçanërisht për njerëzit në nevojë për një dorë të ngrohtë njerëzore”
, tha Krasniqi.

Në seancë morën pjesë dhe personalitete të ndryshme vendase e ndërkombëtare. Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, falënderoi Kuvendin dhe institucionet që e nderuan veprën e humanistes së madhe Nëna Terezë me këtë seancë solemne.
Dëshiroj ta falënderoj Zotin për këtë mundësi që e kemi sot në Kosovën e pavarur, në Kosovën e lirë që edhe Parlamenti i shtetit të ri të Kosovës t’ia kushtojë këtë seancë nënës
së madhe...


“Dëshiroj ta falënderoj Zotin për këtë mundësi që e kemi sot në Kosovën e pavarur, në Kosovën e lirë që edhe Parlamenti i shtetit të ri të Kosovës t’ia kushtojë këtë seancë nënës së madhe, motrës sonë dhe bijës së kombit, Nënës Terezë – Gonxhe Bojaxhiut. Është një moment kur të gjithë shqiptarët po festojnë, jo vetëm sot, por gjatë gjithë këtij viti”,
u shpreh Ipeshkvi Dodë Gjergji.

Viti 2010, nga presidenti Fatmir Sejdiu është shpallur viti i Nënës Terezë, andaj për nder të figurës dhe veprës së saj në Kosovë janë shënuar e po shënohen aktivitete të ndryshme.

Kurse, të dielën, më 5 shtator, do të përurohet dhe Katedralja në Prishtinë me emrin e humanistes së madhe, e cila, siç u tha në Parlamentin e Kosovës, me veprën e saj krijoi dhe shkroi historinë e padëgjuar ndonjëherë më parë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG