Ndërlidhjet

Maqedonia s’e përkrah rezolutën serbe


Kombet e Bashkuara
Kombet e Bashkuara

Maqedonia nuk e mbështet propozim-rezolutën serbe për Kosovën të paraqitur në Kombet e Bashkuara, por qëndrimin përfundimtar nëse do të votojë kundër apo e përmbajtur, do ta thotë së bashku me Malin e Zi, me të cilin edhe kishin sjellë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovën, tha për Radion Evropën e Lirë, Ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshoski.

“Maqedonia udhëhiqet nga tri postulate sa i përket kësaj çështjeje. E para, se Maqedonia ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Prishtinën, ashtu siç ka vendosur edhe me Beogradin; e dyta, se njohjen e Kosovës e bëmë në koordinim me Malin e Zi dhe me të jemi në koordinim lidhur me çështjen e propozim-rezolutës serbe; dhe postulati i tretë ka të bëjë me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që u publikua me kërkesë të Serbisë”.

“Që të tre këta parametra na ndihmojmë në marrjen e vendimit si të votojmë, dhe duke u bazuar në ta, nuk duhet të pritet se Maqedonia do ta mbështesë propozim-rezolutën serbe, pasi ajo nuk e absorbon realitetin që del nga këta tre parametra dhe në këtë kontest, në koordinim me Malin e Zi do të kemi pozicion të njëjtë në Nju-Jork”,
deklaroi ministri i Jashtëm, Antonio Milloshoski.

Ndërkohë, burime të ndryshme bëjnë të ditur se Maqedonia tashmë ka sjellë vendimin, që të votojë kundër rezolutës serbe dhe se në marrjen e një vendimi të tillë, ka ndikuar administrata amerikane.

Madje, një pjesë e mediave maqedonase kanë njoftuar për një letër, e cila në adresë të ministrit të Jashtëm, Milloshoski, thuhet të ketë ardhur nga sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, me kërkesën që Shkupi ta hedhë poshtë rezolutën serbe për Kosovën.

Por, nga Ministria e Jashtme mohuan të kenë marrë letër të tillë.

Ndërkaq, duke komentuar pozicionin e Maqedonisë në raport me Kosovën, Ismet Ramadani, nënkryetar i Klubit Euro-atlantik, tha se Shkupi nuk duhet të kalkulojë, por të publikojë qëndrimin kundër rezolutës serbe, madje edhe të lobojë që të njëjtin pozicion ta kenë edhe shtetet tjera.

“Madje, duhet të pritet që Maqedonia të bëjë ndonjë lobim atje ku mundet, që të jetë në favor të Kosovës për faktin se Maqedonia e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur, ka vendosur marrëdhënie diplomatike, se Maqedonia ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve dhe të partive politike shqiptare që drejtpërdrejt janë inkuadruar për ndërtimin e shtetit demokratik të Maqedonisë”.

“Prandaj, nuk ka vend që Maqedonia të presë ndonjë sugjerim, siç po thuhet, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por pa dilema dhe kalkulime, që të gjitha veprimet në Kombet e Bashkuara për Kosovën, rreth Kosovës, duhet t’i përkrahë në favor të Kosovës”
, tha Ismet Ramadani.

Nënkryetari Ramadani u shpreh i bindur se propozim-rezoluta serbe do të pësojë dështim të plotë dhe se me këtë do t'i hapet rruga njohjes së Kosovës nga shtetet që nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG